Gashi tregon si ka qenë neni për martesat mes personave të gjinisë së njëjtë në Draftkodin e kaluar Civil

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet lidhur me Kodin Civil të Kosovës.

Profesori i së Drejtës Civile në Universitetin e Prishtinës, Haxhi Gashi, ka thënë se në Draftkodin Civil paraprak, i cili i është dërguar Kuvendit në vitin 2020, thuhet se bashkësitë civile rregullohen me ligj të veçantë.

Gashi tha se dallon gjuha e përdorur mes Draftkodit të atëhershëm dhe këtij që nuk u votua në Kuvend pak ditë më parë.

“Pas shumë diskutimeve në draftin që është dërguar në atë kohë që është edhe në Kuvend është thënë që bashkësitë tjera civile rregullohen me ligj të veçantë, pra dallon gjuha nga drafti që është tash. Edhe në atë kohë ka pasur edhe për këtë gjuhë ka pasur vërejtje që mos me vendos fare këtë paragraf”, ka thënë Gashi.

Gashi shtoi se në atë kohë ka pasur diskutim edhe për çështje tjera siç janë: Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, kontratat martesore, martesa e të miturve 16-18 vjet etj.

Ai tutje ka shtuar se as vendet e BE-së nuk kanë një qëndrim të njëjtë lidhur me bashkëjetesat dhe martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

“Gjermania e ka filluar në 2001 me një ligj për bashkësitë civile dhe nuk ka mundur ta nxjerrë deri në 2017 ligjin për martesat”, tha ai.

Ai po ashtu shtoi se nuk ka konventa ndërkombëtare të cilat mund të merren si model për t’u ndjekur lidhur me këtë çështje.

“Konventa në Bashkimin Evropian të cilat i kemi shqyrtuar nuk ka një model që thuhet se duhet me vepru kështu. Nuk kemi një instrument ndërkombëtar në këtë pikë të qartë që ju thotë shteteve që këtë rrugë duhet me ndjekë”, tha Gashi.

Ndërsa avokatja Albana Kelmendi tha se Draftkodi Civil ka krijuar bazën ligjore për nxjerrjen e ligjit të veçantë për lidhjen e këtyre martesave.

“Kodi Civil ka krijuar bazën ligjore për nxjerrjen e ligjit të veçantë për lidhjen e këtyre martesave. Projektkodi Civil ka paraparë ndryshime në disa ligje por jemi në rregull me ligjet që kemi. Unë edhe kisha bërë thirrje gjykatave dhe hartuesve të ligjeve që të drejtat e fëmijëve me rëndësi dhe theks të veçantë kontaktet personale kur prindërit janë në procedurë të shkurorëzimit dhe masat e përkohshme lidhur me ushqimin ligjor”, tha Kelmendi.

Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

16 deputetë nuk kanë marrë pjesë fare në votim.