Haxhi Gashi - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për krim të organizuar në gjendje të rëndë shëndetësore, shtyhet seanca

Gjykata e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e avokates Drita Hoxha, e cila mbron të akuzuarin për krim të organizuar – Haxhi Gashin, për shtyrje të seancës.

Avokatja tha se klienti i saj është i sëmurë dhe në gjendje shumë të rëndë shëndetësore e duke marrë terapi, prandaj edhe nuk është në gjendje të qëndrojë në seancë.

Këtë kërkesë e kundërshtoi prokurorja Habibe Salihi, duke thënë se i akuzuari nuk ka ofruar asnjë provë, asnjë raport mjekësor, që do të bënte të besohej se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri e aprovoi propozimin e mbrojtëses duke e shtyrë seancën për më 30 janar 2020.

Në këtë rast, për krim të organizuar akuzohen Asllan Kuqi, Sylë Krasniqi, Bekim Karaxha, Haxhi Gashi, Rexhë Kolgeci dhe Florina Ferizi.

Sipas aktakuzës, në periudhën janar 2012 deri në shtator 2013, duke vepruar në kuadër te grupit të organizuar, me qëllim të përfitimeve financiare, të akuzuarit janë marrë me kontrabandim të shtetasve të Kosovës.

Vazhdon gjykimi i të akuzuarve për kontrabandim të migrantëve drejt BE-së për 5.000 euro

Aktakuza thotë se i pandehuri Sylë Krasniqi qoftë vetë ose përmes të pandehurve të tjerë, ka dërguar rreth 40 emigrantë për në shtetet e BE-së, duke u marrë nga rreth 5.000 euro secilit.

Për t’i bartur emigrantët në mënyrë ilegale në shtetet e BE-së, aktakuza thotë se të akuzuarit kishin shfrytëzuar ndihmën e personave tjerë në Serbi. Në mesin e tyre, aktakuza i përmend dy persona me emrat Goran dhe Dragan.

Prej Serbisë, emigrantët ishin dërguar në Hungari, shteti anëtar i Bashkimit Europian me të cilin kufizohet Serbia.

Aktakuza përshkruan se Sylë Krasniqi u kishte falsifikuar dokumentet dy prej qytetarëve të cilët do t’i bartte drejt Serbisë për të kaluar në Hungari. Sipas aktakuzës, personi i cili i kishte rregulluar këto dokumente ishte i pandehuri Asllan Kuqi.

Aktakuza gjithashtu thotë se i pandehuri Haxhi Gashi, si anëtar i grupi kriminal, ka pritur emigrantët në lokalin “501” në Suharekë dhe ka bërë transferimin e parave, përderisa i pandehuri tjetër Bekim Karaxha kishte gjetur emigrantët të cilët janë të interesuar të dalin jashtë Kosovës në mënyrë ilegale.

Aktakuza e ngarkon edhe Rexhë Kolgecin që në bashkëpunim me Sylë Krasniqin apo persona tjerë, kanë bërë kontrabandimin e emigrantëve në shtetet e BE-së.

Për të pandehurën Florina Ferizi, Prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëpunim me të pandehurin Bekim Karaxha kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me emigrantë në tentativë.

Aktakuza thotë gjithashtu se i pandehuri Asllan Kuqi ka bërë falsifikime te dokumenteve me qëllim të përdorimit të tyre, ndërsa i pandehuri Kujtim Maliqaj akuzohet se e ka falsifikuar pasaportën në emër të tij.