Veturat ‘Uzurpojnë’ Trotuarin në Prishtinë, Pas Rrëshqitjes së Dheut

Automjetet të cilat kalojnë nëpër këtë rrugë po e shfrytëzojnë trotuarin që është i dedikuar për këmbësorët për të kaluar nëpër këtë rrugë.

Erzen Vraniqi, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës, tha se kompania e cila po bën ndërtimin e atij objekti nuk ka leje për bllokimin e rrugës.

“Objekti ka leje ndërtimi por nuk ka leje që ta bllokojë njërën korsi të rrugës. Ka kërkuar leje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike mirëpo leja i është refuzuar për shkak se bllokohet rruga. Drejtoria e Inspeksionit do të dalë në vendin e ngjarjes dhe do të veprojë konform ligjeve për ta liruar zonën e uzurpuar”, tha Erzen Vraniqi për KALLXO.com.

Gjendja e krijuar po u shkakton probleme qytetarëve që kalojnë nëpër këtë rrugë.

Banorit të Prishtinës, Shuaip Vllahiu, i duhet të kalojë shpesh nëpër atë rrugë.

Ai thotë se bllokimi po i shkakton atij dhe banorëve të tjerë shumë probleme.

“Është shumë kolonë, shumë po na bjen me pritë dhe po i dëmtojmë veturat”, tha Vllahiu

Ai tha se e ka problem me i përfundu punët e tjera për shkak të kolonës në rrugë.

“Më bjen me prit 10 apo 15 minuta në një vend”, tha ai.

Kompania e cila po i kryen punimet në këtë objekt, Prime Group, arsyetohet se krejt kjo bllokadë ka ardhur si pasojë e rrëshqitjes së dheut.

Por drejtori i kësaj kompanie, Teki Bujupi, tha se shpreson që kjo situatë të rregullohet brenda pak ditëve.

Ai thotë se kjo kompani i kishte ndërmarrë masat për parandalimin e rrëshqitjes.

“Për shkak të rrjedhjeve nëntokësore të ujërave, ka ndodhur rrëshqitja e dheut. Janë këputur pilotat dhe dheu së bashku me një pjesë të trotuarit kanë rënë poshtë. Në vendngjarje kanë dalë Inspektorët e ndërtimit, hetues policorë, e Prokurori kurse lënda është në proces”, tha Bujupi.

Ai u shpreh se Policia ka ndërmarrë masat për bllokimin e rrugës për shkaqe të sigurisë dhe se punimet e kompanisë janë “nën vëzhgim strikt” të policisë.

“Tanimë jemi angazhuar me tërë potencialin tonë për ta liruar njërën pjesë të rrugës të shtunën, ndërsa pjesën tjetër gjatë javës së ardhshme”, tha Teki Bujupi.