Pensionistë prishtinas - Foto: Korab Basha

Veseli do Rritje të Pensionit Minimal

Gjatë vizitës në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës  kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për Skemat Pensionale, ndërsa pensioni minimal duhet të jetë së paku 200 euro.

Veseli u prit nga kryetari i kësaj shoqate Shaban Kajtazi dhe nga kryetarët e organizatave komunale të shoqatës nga gjithë Kosova.

Shaip Vitia, kryetar i Organizatës Komunale të Prishtinës, ngriti çështjen e problemeve të kategorizimit të pensionistëve.

“Kryetar do ju kisha lutë me kqyr, qeky ligj nuk i ka përfshi mirë të gjitha strukturat. Ka njerëz që nuk u janë pranuar diplomat-një shembull, i ka kryer 3 vjet para vitit 1990 vitin e 4 pas 90-ës, është zgjedh drejtor e ka punu, e sot nuk i njihet diploma. Kemi probleme me kualifikimin e lartë dhe të mesëm,” tha ai.

Vitia deklaroi se akademikët janë në pozitë inferiore.

Edhe Veseli kur foli për akademikët tha se duhet të rikthehet vendimi që nëse ka kapacitete fizike dhe mendore një akademik të mos pensionohet në moshën 65 vjeçe.

“Është e padrejtë që dikush të mendojë se i ka bërë 65 vjet dhe se ka përfundu jeta aktive,” tha Veseli.

Veseli premtoi angazhim edhe në drejtim të ndryshimeve ligjore.

“Ajo të cilën ne mundemi me bë në kuadër të aspektit legjislativ është që të marrim iniciativa në bazë të ligjit. Çështja e pensioneve ka dalë shumë problematike-për shembull flitet për dy pensione. Nuk janë dy pensione një është për shkak të kontributit, një për shkak të ndonjë fatkeqësie dhe duhet shpejt me u përmirësu,” tha Veseli.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës Shaban Kajtazi tha se ka pasur ndryshime në përmirësimin e pozitës së pensionistëve, por sipas tij duhet të bëhet më shumë.

“Kuvendi miratoi Ligjin për Skemat Pensionale dhe filloi të përmirësohet pozita e të gjithë pensionistëve të Kosovës me aksent te ata kontributpagues. Ata tashmë e kanë kategorizimin, edhe pse nuk janë pesë kategori. Ka mbetë pa u nënshkru kategoria e gradave shkencore, megjithatë pensionistët marrin 158  euro, 172 euro,186 euro dhe 230 euro. Te ky grupi  prej 230 eurosh është përfshirë edhe grada shkencore që ne konsiderojmë se duhet të kenë shkallë tjetër-pozitë më të mirë, ligji nuk ka performancë të mirëfilltë juridike,” tha Kajtazi.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se borxhi më i madh i shoqërisë është ndaj kësaj gjenerate.

Përfaqësues të disa organizatave nëpër komuna  u ankuan se nuk kanë kushte elementare për të zhvilluar aktivitetet e tyre.

Muajin e kaluar Emisioni Jeta në Kosovë shfaqi hulumtimin për borxhin pensional të Serbisë ndaj Kosovës

Pensionet e Kosovarëve në Serbi