Veseli i përgjigjet Quintit: BE ta ndalë Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli i është përgjigjur deklaratës së lëshuar sot nga vendet e Quint-it, të cilët kanë kërkuar që taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës të hiqet, si dhe menjëherë të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.

Veseli ndërkaq, ka thënë se PDK-ja do të jetë përkrahë aleatëve perëndimorë të Kosovës.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin.

“Një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme”, thuhet në shkrimin e tij.

I pari i PDK-së, ka shtuar se i mirëpresin përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut.

“Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë.

Megjithatë, Veseli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë.

“…të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, thuhet në postimin e Veselit.

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar që menjëherë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendet e Quntit gjithashtu kanë kërkuar që Kosova të heq taksën e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, si dhe nga Serbia që të ndërpresë fushatën për heqjen e njohjeve të Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar pasi pala serbe i ka pezulluar bisedimet pas vendosjes së taksës 100 për qind vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Ndërkaq, aktualisht Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj një muaj më parë.