Vendi i rrethuar ku po ndërtohet objekti nga kompania e Blerim Thaçit

Versioni i Sali Zybës Për Rrethojat e Objektit të Vëllait të Hashim Thaçit

Në ditën kur Policia e Kosovës arrestoi në zyrën e tij Sali Zybën, Drejtor i Urbanizimit në komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, drejtor komunal i Urbanizmit, e kishte lidhur arrestimin e Zybës me vendimin e tij për t’ia larguar rrethojën kompanisë ‘Ilirian Building’ e cila është në bashkëpronësi të Blerim Thaçit dhe Milaim Cakiqit.

“Ishte Salihu ai që i caktoi afatin për lirimin e pronës së uzurpuar nga kompania e vëllait të Hashim Thaçit”, kishte shkruar Aliu duke shtuar as se komuna e as Salihu nuk mund të ndalohen me arrestime.

I kontaktuar nga KALLXO.com pas lirimit Sali Zyba, nuk ka dashur që të komentojë se çfarë ka shkruar Aliu në Facebook.

Ai ka shtuar se as nuk e ka ditur se kush është pronar por ka konfirmuar se ka nxjerrë një vendim me të cilin kompanisë ku bashkëpronar është vëllai i Presidentit në ardhje i ka kërkuar ta largojë rrethojën.

“Ata nuk janë pajisë ende me leje dhe për shkak të punimeve, uzurpuesit e kanë shtri rrethojën edhe në parcelë komunale. Janë ankuar qytetarët dhe ne kemi shku në vend të ngjarjes. Kemi dhënë urdhëresë për lirimin e hapësirës komunale. Gati sa parcela private është edhe parcela komunale”, theksoi Zyba për KALLXO.com.

Sa i përket arrestimit të tij, Zyba tha se arrestimi nuk ndërlidhet me vendimin e tij duke mos dashur të komentojë atë çfarë kishte pretenduar Liburn Aliu.

http://kallxo.com/arrestohet-sali-zyba-ne-kabinetin-e-shpend-ahmetit/

“Arsyetimi për arrestim ka qenë për diçka tjetër”, ka thënë Zyba.

I kontaktuar nga KALLXO.com vëllai i presidentit të zgjedhur Hashim Thaçi, Blerimi nuk ka pranuar të flasë për arrestimin e Zybës.

Kompania e tij me anë të një emailli ka sqaruar se konform kontratave, ka qenë e pajisur me leje për rrënimin e objekteve ndërsa rrethojën e ka vendosur për çështje të sigurisë.

Ndërsa sa i përket rrethojës së vendosur në pronën publike, kompania e Thaçit është arsyetuar se prona ka qenë duke u shfrytëzuar nga pronari paraprak.

“IB ka bërë matje gjeodezike dhe ka konstatuar  se ka rrethuar (me rrethojë të përkohshme) edhe një pjesë të pronës publike e cila ka qenë duke u shfrytëzuar nga biznesi që ka operuar në objektin e rrënuar”, thuhet në përgjigjen e Ilirian Building.

Kompania ka sqaruar se më 19 janar 2016 i kishte drejtuar kërkesë komunës për të marrë një leje të përkohshme të shfrytëzimit mirëpo pas përgjigjes negative rrethoja është larguar nga punëtorët e kompanisë.

Inspektori Komunal Sali Zyba ishte arrestuar me 29 shkurt në zyrën e tij të punës. Ndaj Zybës prokuroria kishte ngritur aktakuzë me pretendimin se ai ishte përgjegjës për largimin e flamurit shtetëror nga shtylla në hyrje të Prishtinës dhe vendosjen e flamurit kombëtar në të njëjtën shtyllë.

Për këtë akuzë, Zyba është shpallur i pafajshëm për shkak se prokurori i rastit është tërhequr nga aktakuza.

http://kallxo.com/sali-zyba-akuzohet-per-heqje-te-flamurit/