Vërshime Gjithandej Vendit

Shirat e rrëmbyeshëm dhe shkrirja e borës kanë nxjerrë nga shtrati shumë lumenj e përrocka në tërë vendin, duke shkaktuar përmbytje masive në disa zona.

Raportohet për përmbytje sidomos në fshatrat e komunës së Malishevës. Në Bellanicë, Banjë, në qytezën e Malishevës, si dhe në lokalitetet e tjera nëpër të cilat kalon lumi Mirusha, sipas pamjeve dhe fotografive të banorëve lokalë të postuara në rrjete sociale, uji ka hyrë në objekte të banimit, si dhe në biznese.

Ekipi i KALLXO.com ka dërguar pamje dhe fotografi nga Komorani, ku si pasojë e vërshimeve magjistralja Prishtinë-Pejë është mbuluar me ujë, me ç’rast është pamundësuar qarkullimi i automjeteve, disa prej të cilave janë fikur edhe në mes të rrugës.

Gjendje e tillë e rëndë raportohet të jetë edhe në disa prej komunave të tjera të vendit.

Një ekip tjetër i KALLXO.com ka sjellë këto pamje nga përmbytjet në Suharekë, e cila po ashtu është një ndër komunat më të prekura nga dalja prej shtrati e lumenjve dhe përroskave.

Përndryshe, vendi po përballet me reshje të dendura të shiut që nga dita e djeshme. Gjendjen e ka rënduar edhe shkrirja e borës, e cila ka rënë pak ditë më parë.

vershime2 vershime3 vershime4