Foto: Policia e Kosovës

Bëhet e pakalueshme rruga Prishtinë-Ferizaj, Policia kërkon nga qytetarët të shfrytëzojnë rrugë të tjera

Si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë është vërshuar nga uji, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve, e në disa vende rruga është bërë e pakalueshme.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës teksa është bërë e ditur se gjendja e tillë e rrugës është nga fshati Muhovc, afër pikës së karburantit “Euromiti”, e deri në afërsi të fshatit Babush të Ferizajt.

Në njoftimin e Policisë u është kërkuar qytetarëve, shoferëve të automjeteve që të përdorin rrugët alternative, autostradën “Arbën Xhaferi”, apo rrugët e tjera, përmes qytetit të Lipjanit dhe Shtimes, në mënyrë që t’i shmangen ndonjë bllokimi të tyre deri në lirimin e plotë të rrugës.

Po ashtu është thënë se Policia rajonale e Ferizajt është në të dy anët e rrugës magjistrale Ferizaj-Prishtinë dhe po orienton komunikacionin.

“Për gjendjen e krijuar në këtë relacion janë njoftuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes kompania për mirëmbajtjen e rrugëve dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës të komunës së Ferizajt, ndërsa është njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës” – ka thënë Policia.