Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Vendosja e taksës përplasë Pacollin me ministrin e Jashtëm të Bosnjës

Taksa 100 për qind e vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja ka përplasur ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacollin  dhe homologun e tij nga Bosnja dhe Hercegovinës, Igor Crnadak.

Burime nga të KALLXO.com nga takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit perëndimor WB6, kanë bërë të ditur se i gjithë debati ka filluar kur ministri i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës e ka akuzuar Kosovën për “veprim skandaloz” për taksën 100%, të vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Lidhur me këto deklarata i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Pacolli , duke kritikuar pozicionin e këtij vendi, si dhe duke e akuzuar Bosnjë dhe Hercegovinën se po shërben si marionetë e Beogradit.

Siç ka thënë tutje, Pacolli, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina janë ato që në vazhdimësi kanë shkelur marrëveshjet si dhe frymën e bashkëpunimit rajonal.

“Taksa ka qenë veprim i domosdoshëm politik si kundërpërgjigje ndaj dëmeve që këto dy vende i shkaktojnë Kosovës duke mos respektuar marrëveshjen e CEFTA-s”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në facebook  ka bërë të ditur se në Budva të Malit të Zi është duke marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor WB6 për të diskutuar për integrimin evropian si dhe  shtyrja përpara e procesit të Berlinit.