Ridvan Hoxha - Foto: KALLXO.com
Vendimi i Gjykatës: Dibran Hoxha kthehet në burg
Gjykata e Prizrenit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për menaxherin e lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha.
Gjyqtari Skender Çoçaj e ka aprovuar kërkesën e prokurores Nazan Shero, e cila kërkoi 30 ditë paraburgim për të dyshuarin Dibran Hoxha.
Dibran Hoxha ka dalë sot para Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Hoxha është arrestuar dje nga Policia e Prizrenit, ndërsa sot në seancë tha se është dorëzuar vetë.
Në kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se i dyshuari Dibran Hoxha bashkë me dy të dyshuar të tjerë, Arlind Dakaj dhe Mirsad Hajredini, të cilët tashmë veç gjenden në paraburgim, në bashkëkryerje i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore personit H.B.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se më 15 qershor, rreth orës 15:15, pas një marrëveshjeje paraprake në rr. Ukë Bytyçi në Prizren, pasi i kishin shkuar prapa, në një moment i dalin përpara, duke ia penguar rrugën për të vazhduar vozitjen dhe atë i pandehuri Dibran Hoxha me veturën “Dodge”, në të cilën ka qenë edhe i pandehuri Arlind Dakaj, ndërsa i pandehuri Mirsad Hajredini ka qenë në një veturë të markës “Mercedes”, i cili po ashtu i del përpara me veturë dhe pasi që e ndalin të dëmtuarin, ky i fundit sulmohet nga të pandehurit Dibran Hoxha dhe Arlind Dakaj, të cilët e godasin me grushte, me shkopa druri, ndërsa në një moment i pandehuri Dibran gjen një brisk në veturën e të dëmtuarit dhe me të njëjtin e godet në krahun e majtë.
Nga të cilat veprime, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Ndërsa, avokati i Hoxhës, Avni Berisha, e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke thënë se nuk ekziston rreziku për përsëritjen e veprës penale dhe se dy familjet janë pajtuar mes vete dhe dje klienti i tij vetë është dorëzuar në Polici.
Kurse, vetë i pandehuri tha se nuk pajtohet me masën e kërkuar nga prokurorja Nazan Shero.
Ai premtoi se nuk do ta përsëris veprën penale dhe se nuk do të ikë.
https://kallxo.com/dibran-hoxha-ne-gjykate-nuk-do-ta-perseris-vepren-penale/
Dibran Hoxha është arrestuar dje nga Policia e Prizrenit.
https://kallxo.com/arrestohet-bosi-i-kobra-city-t-ne-prizren-pas-disa-dite-arratie/
Në Gjykatë ai sot u soll i prangosur nga Policia.
https://kallxo.com/video-dibran-hoxha-i-prangosur/
Ai ishte në arrati që nga dita e shtunë.