Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit dhe Veselit

Shefja për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Angela Griep ka konfirmuar për KALLXO.com, se më 16 gusht, trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Trupi gjyqësor theksohet se ka konstatuar se ekziston rrezik i mjaftueshëm që Thaçi dhe Veseli “të pengojnë mbarëvajtjen e procedurës dhe të kryejnë krime të mëtejshme”.

Sipas saj, trupi gjyqësor ka konstatuar se komunikimet mund të kufizohen në një mënyrë që do t’i zbuste mjaftueshëm këto rreziqe vetëm nëpërmjet kornizës së monitorimit të komunikimeve të zbatueshme në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.