Vendet e Quint-it të Shqetësuara nga Falja Presidenciale e të Dënuarve për Vrasje

Shtetet anëtare të Quint-it kanë shprehur brengosjen e tyre të thellë përballë përpjekjeve për ta minuar punën e Gjykatës Speciale si dhe faljes nga presidenti i Kosovës të tre personave të dënuar për vrasje në rastin e Familjes Hajra.

Vendet e Quint-it e konsiderojnë Gjykatën Speciale si pjesë të rëndësishme të përpjekjeve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe në adresimin e krimeve të kryera në tokën e saj.

Përmes një komunikate, këto shtete anëtare thonë se kanë qenë për një kohë të gjatë miq të vërtetë të Kosovës, madje edhe në kohët më të vështira.

“Nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s,  sakrifica e ushtarëve tanë në Kosovë, njohja shumë e shpejtë e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja e vazhdueshme për zhvillimin tuaj. Kemi punuar shumë në mbështetje të vendit tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne gjithmonë do të insistojmë që Kosova duhet të mbështetë drejtësinë“, thuhet në komunikatë.

Vendet e Quint-it thonë se nuk ka arsye pse të pengohet puna e Gjykatës Speciale dhe u bënë thirrje krerëve të institucioneve, të partive politike e anëtarëve të Parlamentit që të heqin dorë nga përpjekja për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ose për të rinegociuar ndonjë aspekt të këtij Ligji.

Një lëvizje e tillë, thonë këto vende, rrezikon gjithë atë që ka arritur Kosova.

“Ne e dënojmë një lëvizje të tillë dhe kushdo që e mbështet do t’i kundërshtohet partneriteti me vendet tona”, thuhet në komunikatë.

“Ne kërkojmë nga të gjithë liderët e Kosovës dhe anëtarët e Kuvendit që të flasin kundër kësaj nisme dhe të informojnë në mënyrë të ndershme qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, duke përfshirë edhe integrimin euro-atlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, nëse vendi do të ndjekë këtë rrugë“, theksohet po ashtu në komunikatën e vendeve të Quint-it.

Nisma e disa deputetëve për të votuar në Kuvendin e Kosovës shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dështoi në fund të dhjetorit në mungesë të kuorumit të Kryesisë së Kuvendit.

Rreth nismës së institucioneve të Kosovës kishte reagime të ashpra edhe nga Uashingtoni.