Departamenti Amerikan i Shtetit

SHBA Kërkon të Mos Zhbëhet Specialja

Departamenti i Shtetit në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja, Heather Nauert shprehu shqetësimin rreth nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të nënshkruar nga një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga përpjekjet e fundit në Kuvendin e Kosovës për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara, gjykatë e themeluar për rastet e krimeve të supozuara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të rënda të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-2000”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Departamenti u bën thirrje udhëheqësve kosovarë të mos ndryshojnë këtë ligj.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në Republikën e Kosovës që të ruajnë përkushtimin e tyre për punën e Dhomave dhe të lënë të pandryshuara autoritetet dhe juridiksionin e gjykatës”, thuhet më tutje në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se sekretari Tillerson ka thënë më 21 dhjetor se “kërkimi i drejtësisë në Ballkan nuk ka përfunduar dhe mbetemi të përkushtuar për të mbështetur drejtësinë për viktimat”.

Deklarata lavdëron Kosovën që miratoi ligjin për Gjykatën Speciale në vitin 2015.

Edhe Ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi dje se shfuqizimi i ligjit që themeloi specialen mund të prishë raportet mes dy shteteve.

http://kallxo.com/ambasada-amerikane-lideret-kosovare-po-gabojne-specialen/