Ushtari Serb i Bosnjës Dënohet për Përdhunim Gjatë Luftës

Ish-ushtari serb i Bosnjës, Krsto Dostiq, u dënua me dhjetë vjet burg për përdhunim të vazhdueshëm të një gruaje shtatzënë në zonën e Focës në 1992.

Gjykata shtetërore në Sarajevë të enjten e shpalli Dostiqin fajtor për përdhunim të viktimës së tij shtatzëne në fshatin Luboviqi në komunën e Foçës në një datë të pacaktuar në periudhën midis prillit dhe gushtit të vitit 1992.

Dostiq e kërcënoi viktimën, duke thënë se ajo nuk duhet t’i tregonte askujt për sulmin, dhe më pas u kthye dhe dy ose tre herë të tjera më vonë dhe e përdhunoi përsëri.

Gjykata vendosi se ai i kishte kryer sulmet si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj civilëve boshnjakë që po kryhej nga forcat serbe në zonën e Foçës në atë kohë.

Ajo vendosi gjithashtu se Dostiq veproi me paramendim të drejtpërdrejtë, duke qenë në dijeni të situatës dhe pasojave.

Kryetarja e trupit gjykues Mira Smajloviq tha se gjykata ishte e bindur nga provat e dhëna nga viktima, e cila dëshmoi si dëshmitare e mbrojtur me emrin e koduar S-1.

“Gjykata mendon se dëshmia e palës së lënduar S-1 është totalisht e besueshme dhe e sinqertë dhe u konfirmua gjithashtu edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë,” tha Smajloviq.

Dostiq u urdhërua gjithashtu t’i paguante 40,000 marka boshnjake (20,450 euro) viktimës në kompensim për vuajtjen e saj mendore.

Gjykata mori në konsideratë si rrethana lehtësuese faktin që Dostiq është një njeri familjar dhe baba i dy fëmijëve, dhe si rrethana rënduese vrazhdësinë që ai tregoi ndërsa kryente krimin.