Masakra gjatë ndeshjes së futbollit në Sarajevë: Autorët ende janë të lirë

Njëmbëdhjetë vjeçari Marko Ziliç ishte një nga dhjetëra njerëzit që u vranë gjatë bombardimit të një ndeshje futbolli në një parking në Sarajevë më 1 qershor 1993 dhe asnjë nga autorët e drejtpërdrejtë të sulmit nuk është gjykuar kurrë për këtë.

 

Njëzet e shtatë vjet më parë, një fushë futbolli e improvizuar në lagjen Dobrinja të Sarajevës u godit nga një predhë gjatë një ndeshje, duke lënë 12 persona të vdekur, përfshirë 11-vjeçarin Marko Ziliç, raporton Balkan Insight.

Djali ishte një nga rreth 200 spektatorët që po shikonin një grup ushtarësh të Ushtrisë Boshnjake duke luajtur futboll në fushën e improvizuar në një parking. Përveç atyre që u vranë, 101 persona u plagosën.

Sulmi vdekjeprurës ka shkaktuar “27 vjet lot”, tha daja i Marko Ziliç, Dalibor Ballian.

“Mamaja dhe vajza ime e kanë ditëlindjen më 1 qershor, por kjo është gjithashtu data e vdekjes së nipit tim. Atë ditë ne festojmë, ndërkohë që pikëllohemi”, tha Ballian.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç,dhe komandanti i kohës së luftës i Korpusit Sarajevo-Romanija i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Stanislav Galiç, të dy janë dënuar nga Gjykata e Hagës për përgjegjësinë komanduese për sulmin, por askush nga autorët e drejtpërdrejtë të sulmeve nuk është përballur ende me drejtësinë.

Në qershor 1993, lufta në Sarajevë tashmë kishte më shumë se një vit që kishte filluar. Ballian kujtoi se fëmijët ishin mbajtur brenda për 13 muaj nga fillimi i rrethimit të qytetit nga forcat serbe të Bosnjës, por më pas kishte një pauzë në dhunë.

“Kjo ishte një periudhë e shkurtër qetësie dhe fëmijët filluan të mblidheshin dhe të luanin futboll. Ata u bënë të shkujdesur. Në një pikë, e harruam fare që ishim nën rrethim”, tha ai.

Predha e parë u qëllua rreth orës 10:00 të mëngjesit, vazhdoi ai.

“Pati një zhurmë të madhe. E ndjemë menjëherë se kjo ishte artileri e kalibrit të madh. Disa sekonda pas dridhjeve të shkaktuara nga predhat, në sheshin aty pranë plasi paniku. Gra dhe fëmijë vraponin ngado. Kishte njerëz që ishin të plagosur rëndë dhe njerëz me lëndime më të vogla”, tha ai.

Balliani ishte mësues kujdestar dhe tha se nxënësit e tij po shikonin ndeshjen.

“Atëherë fillova t’i kërkoja. Nipi im Marko Ziliç ishte aty, ndër të tjerë. Unë isha gjithashtu mësuesi i tij kujdestar”, tha ai.

“Vrapova nga sheshi te këndi i lojërave, i cili ishte rreth 100 metra larg, por dukej si një përjetësi. Këmbët më dridheshin, mezi i lëvizja. Kur arrita atje, pashë kufomat në tokë. ”

Ai tha se predha e dytë që goditi parkingun vrau më shumë njerëz sesa e para.

“Pas predhës së parë, shumë njerëz erdhën me vrap drejt të plagosurve për t’i ndihmuar ata. Predha e dytë u qëllua për të vrarë ata dhe pati më shumë viktima midis tyre”, tha ai.

Ballian kujtoi se parkingu kishte disa makina të djegura nga predhat që u lëshuan aty.

“Ishte trupi i një makine VË dhe djali i motrës time ishte ulur mbi të kur një copë shrapnel e goditi atë në arterie. Motra e tij, vajza e motrës sime, i pa të gjitha këto nga dritarja e shtëpisë së tyre. Ai kishte shumë hemorragji, kështu që ajo e futi në një makinë dhe e çoi në spital”, tha ai.

Ai vazhdoi duke thënë se gjëja më e vështirë ishte t’i tregonte motrës së tij se i biri nuk jetonte më: “Dhe pastaj ata thonë se ky ishte një objektiv legjitim ushtarak. Nuk mendoj se fëmijët 11-vjeçarë janë shënjestër ushtarake legjitime dhe atje kishte shumë fëmijë.”

“Nuk ishte një objektiv ushtarak”

Radovan Karaxhiç u dënua në mars të vitit të kaluar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte, përfshirë terrorizimin e popullatës së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe sulmesh me snajper. Një nga incidentet e mbuluar nga aktakuza ishte sulmi me predha i ndeshjes së futbollit në Dobrinja në qershor 1993.

Shtatë nga viktimat dhe 51 prej të plagosurve ishin trupa të Ushtrisë Boshnjake dhe pjesa tjetër ishin civilë, thuhet në vendim. Sulmi ishte “një shembull i një zjarri jo selektiv”.

Nga Gjykata e Hagës u përcaktua se predhat u shkrepën nga territori i kontrolluar nga Korpusi i Sarajevo-Romanija i Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Komandanti i saj, Stanislav Galiç, drejtoi një fushatë granatimesh dhe sulmesh me snajper, e cila synonte të përhapte terror midis popullatës civile të qytetit, gjeti gjykata.

Në vendimin për Karaxhiçin thuhet se misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Bosnjë, UNPROFOR, Qendra e Shërbimeve të Sigurisë (e cila më vonë u bë Ministria e Punëve të Brendshme të Bosnjës) dhe vëzhguesi ushtarak i Kombeve të Bashkuara John Hamill të gjithë përcaktuan që predhat u qëlluan nga pozicionet e Korpusit Sarajevo-Romanija në pjesën jugore të Lukavicës.

Sipas dokumentacionit të Gjykatës së Hagës, zona e Lukavicës ishte në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së Parë të Korpusit Sarajevo-Romanija, e cila ishte nën komandën e Veljko Stojanoviç.

Në një intervistë të mëparshme për BIRN, Stojanoviç, i cili jeton në Banja Luka, konfirmoi se ai ishte komandanti i Brigadës së Parë të Sarajevës, por nuk deshi të fliste për atë që ndodhi nën komandën e tij.

Eksperti balistik Berko Zeceviç, i cili dëshmoi në disa raste në Gjykatën e Hagës, tha se predha u qëllua në parking nga një kazermë ushtarake në Lukavica.

“Fakti është se parkingu nuk ishte një objektiv ushtarak pavarësisht nga fakti se disa nga personat që ishin në të ishin anëtarë të forcave të armatosura”, tha Zeceviç.

“Në atë moment ata ishin në pushim, po luanin futboll. Kishte shumë civilë në atë zonë dhe nuk kishte të shtëna drejt kazermave ushtarake të Lukavicës nga ajo zonë”, shtoi ai.

“Për ne, ishte një ferr i vërtetë”

Youssef Hajir, themeluesi, drejtori dhe kirurgu kryesor në spitalin e kohës së luftës në Dobrinja, tha se lagje pati disa masakra gjatë kohës së luftës, por asnjëra prej tyre nuk shkaktoi aq shumë viktima sa sulmi në ndeshjen e futbollit.

“Për ne dhe spitalin ishte një ferr i vërtetë”, kujtoi Hajir. “Një spital i vogël, i improvizuar duhej të pranonte kaq shumë njerëz. Të plagosurit rrinin shtrirë kudo në dyshemenë e spitalit. Vendi ishte aq i mbushur, saqë mezi kaloje për të hyrë në një dhomë.

“Njerëzit vinin duke kërkuar baballarët, vëllezërit, të afërmit, ndërkohë që nuk duhej të kujdeseshim për pacientët. Kishte pak mjekë dhe staf tjetër mjekësor, por duhej të përballeshim me të gjithë këtë. Pastaj aty erdhën drejtues të komunës dhe liderë komuniteti, njerëz që u mblodhën dhe kërkonin informacione”, tha ai.

Ata që vdiqën në vendin e sulmit u transportuan direkt në një morg, ndërsa të plagosurit u futën në triazh për të vlerësuar se sa rëndë i kishin plagët e tyre.

“U kujdesëm për disa prej tyre dhe disa të tjerë i dërguam në një spital tjetër me një ekip mjekësor, sepse nuk mund t’i trajtonim dot të gjithë në spitalin e Dobrinjës. Kështu që dërguam ndoshta 50 njerëz, 47 deri 50 njerëz në qytet”, tha Hajir.

“Ne u kujdesëm për të tjerët. Në dy ditë, u kujdesëm për të gjithë. Pas një procedure të mirë triazhi, asnjë pacient nuk vdiq për shkak të ndërhyrjeve të vonuara”, shtoi ai.

Në vendimin në gjyqin e Karaxhiçit thuhet se të dhënat e spitalit Dobrinja tregojnë se të paktën 27 nga viktimat ishin nën 18 vjeç dhe se katër nga ata që vdiqën nga plagët e marra ishin fëmijë.