Publikimi nga KDI i Udhëzuesit për parandalimin e korrupsionit - Foto: KALLXO.com
Udhëzues për Monitorimin e Prokurimit Publik
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë publik udhëzuesin për parandalimin e korrupsionit në prokurim publik, i cili ofron njohuritë themelore, analitike dhe praktike për të monitoruar prokurimin publik dhe për të identifikuar rreziqet e korrupsionit.
Artan Canhasi nga kjo organizatë theksoi se udhëzuesi ka për qëllim të ofrojë njohuri mbi fuqizimin e monitorimit të prokurimit publik për gazetarë dhe OJQ.
“Gjatë punës tone, të cilën e kemi bërë gjatë këtyre pesë viteve, kemi vërejtur se jo shumë njerëz, jo shumë gazetarë, janë të interesuar për prokurimin publik, jo shumë OJQ kanë kapacitet që të monitorojnë prokurimin publik edhe pse dëshira është shumë e madhe të mbikqyrin Qeverinë, dhe për këtë arsye kemi ardhur te një udhëzues se si t’i fuqizojmë këto grupe që të monitorojnë më mirë”, tha Canhasi.
Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkëlqim Hysenaj, e vlerësoi udhëzuesin, duke theksuar se në mungesë të zyrës ligjore, udhëzuesi do t’u ndihmojë gazetarëve për rastet e hulumtimit të korrupsionit.
“Mediat janë faktori kryesor që korrupsioni del në publik. Jemi dëshmitarë të shumë rasteve të mëdhaja të korrupsionit që janë ngritur nga mediat. Mirëpo, jemi edhe dëshmitarë të faktit që shpeshherë gazetarët kanë edhe probleme me aspektet e ndryshme ligjore, në interpretim të ligjeve, shumë media nuk kanë zyrë ligjore që t’u ndihmojnë sa i përket ligjeve, besoj që ky udhëzues do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë gazetarët që mirren me këtë fushë dhe hulumtojnë raste të korrupsionit”, tha Hysenaj.
Ndërsa, Arben Salihu nga AGK tha se bashkë me KDI-në do të organizohen punëtori për gazetarë që të arrihet impakt më i mirë në raportimin e korrupsionit.
“Udhëzuesi që e kemi përpara është mjaft praktik, për mos me mbetë vetëm me këtë udhëzues ne kemi filluar një diksutim me KDI-në dhe kemi ardhur në përfundim që kjo njohuri, kjo përvojë që ka KDI dhe rrjetin që e ka AGK-ja bashkarisht mundemi të bëjmë mjaft shumë që ta avancojmë monitorimin e rasteve korruptive dhe kemi vendosë të fillojmë me një program punëtorish që do të jenë të vazhdueshme në përbërje të gazetarëve që të arrijmë një impakt më të mirë në raportim të korrupsionit”, tha Salihu.
AGK dhe KDI nga muaji i ardhshëm fillojnë me organizimin e punëtorive.
Në punëtori do të marrin pjesë në minimum 6 gazetarë, të cilët do të trajnohen nga njohësit dhe ekspertët e fushës së prokurimit publik.