Foto KALLXO.com

AGK dënon kërcënimin ndaj ekipit të KALLXO.com në një fshat të Skenderajt

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar më 26.02.2024 kërcënimet e banorit të fshatit Klinë e Mesme të Skenderajt ndaj gazetares së KALLXO.com, Adelinë Ahmeti dhe kameramanit, Jetmir Hoxha.

Teksa është shprehur e shqetësuar nga kërcënimi ndaj ekipit të KALLXO.com, AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që rastin ta trajtojë me prioritet.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me kërcënimin e bërë ndaj kolegëve të Kallxos, dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që rastin ta trajtojë me prioritet”- thuhet në reagim.

AGK thotë se e dënojnë çdo formë të kërcënimit ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë medialë.

“Dënojmë çdo formë të kërcënimit ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë medialë, dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente që të vendosin drejtësi për të gjitha kërcënimet dhe sulmet në drejtim të medieve. Çdo sulm ndaj gazetarëve dhe medieve, është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë”- theksohet në reagim.

Kërcënime serioze, fyerje, sharje e deri te ngritja e dorës drejt ekipit të KALLXO.com u bënë gjatë ditës së sotme në një fshat të Skenderajt.

Gjatë ditës së hënë, 26.02.2024, ekipi i KALLXO.com, i përbërë nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha, janë kërcënuar seriozisht nga Mustafë Hasani, një qytetar nga Klina e Mesme, fshat në komunën e Skenderajt.

Ekipi i KALLXO.com po trajtonte një problematikë e cila së fundmi ka dalë në pah – ndërtimi i një kishe në fshatin Klinë e Epërme.

Pasi ekipi kishte marrë versionet e banorëve të Klinës së Epërme për ndërtimin e kishës që ishte ide e Ndrekë Kelmendit, ekipi i KALLXO.com shkoi te Ndrekë Kelmendi për ta takuar dhe për të biseduar lidhur me pengesat që i pati për ndërtimin e kishës.

Më 26.02.2024, ekipi i KALLXO u nis drejt shtëpisë së Ndrekë Kelmendit, aty u prit nga ky i fundit ndërsa vetëm pak momente më vonë në oborrin e tij kishte shkuar vëllai i tij, Mustafë Hasani (i identifikuar nga Policia në Skenderaj).

Me vrull, gjuhë fyese, kërcënuese, sharje e ofendime ekipi i KALLXO.com u ballafaqua për disa minuta nga vëllai i Ndrekë Kelmendit, Mustafë Hasani.

Madje diskutimi nga ana e Mustafë Hasanit shkoi deri te ballafaqimi ballë për ballë me ekipin me tone të larta dhe kërcënuese ndërsa ekipi i bëri me dije se po pengohej në kryerje të detyrës dhe po kërcënohej.

Mustafë Hasani vazhdoi edhe për disa momente fyerjen, ofendimet dhe kërcënimet ndaj ekipit të KALLXO.com deri sa në një moment tha edhe: “Ec, ec, veç të shkoj në shpi se pa jau ** atë nanë s’e la”.

Për rreth 4 minuta ka vazhduar situata e tensionuar ndërsa Ndrekë Kelmendi disa herë i kishte kërkuar vëllait të tij, Mustafë Hasanit, që të largohet nga oborri sepse ai e priti ekipin e KALLXO.com.

Pas kësaj situate, Ndrekë Kelmendi ftoi për bisedë, qetësisht, ekipin e KALLXO.com duke arsyetuar vëllanë e tij.

Pas bisedës që zhvilloi KALLXO.com me Ndrekë Kelmendin u drejtua për në stacion policor. Tashmë rastin është duke e trajtuar Policia në Skenderaj.

KALLXO.com ka mësuar se tashmë rasti është iniciuar si kërcënim dhe i dyshuari është duke u intervistuar në stacion policor.

Ekipi i KALLXO.com kërcënohet në një fshat të Skenderajt