Thaçi: I Papranueshëm Arrestimi i Haradinajt

Edhe presidenti i Rerpublikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas njoftimit për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë.

“I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z. Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë”, ka shkruar presidenti Thaçi në një postim në “Facebook”.

“Ne pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe”, ka shkruar po ashtu presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi ka shkruar po ashtu se institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat që kanë në dispozicion, që sa më parë të korrigjohet ky gabim dhe që z. Haradinaj të lihet i lirë, siç e meriton.

“Ky është edhe një argument tjetër pse Kosova duhet të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, që ato të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, për drejtësinë”, ka thënë presidenti.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/