FOTO: ZPRK

Thaçi në Takim me Markoviqin u Kërkon Deputetëve Ratifikimin e Demarkacionit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën dhe për vizitën e tij në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Gjatë takimit me kryeministrit malazez, Thaçi ka bërë thirrje edhe njëherë që të gjendet një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e ZI.

“Ftoj për një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, për t’i hapur rrugë liberalizmit të vizave. Kjo do të ishte dhurata më e bukur për qytetarët e Kosovës në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë”, citohet të ketë thënë Presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Tema tjera të diskutimit në mes të Thaçit dhe Markoviqit kanë qenë edhe marrëdhëniet bilaterale në mes të dyja vendeve, gjendja politike në rajon si dhe perspektiva europiane e dyja vendeve.

Ndërsa kryeministri malazez ka theksuar se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën.

“Do të bashkëpunojmë ngushtë që t’i realizojmë interesat tona të përbashkët të anëtarësimit në BE”, u shpreh kryeministri Markoviq, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq dje është takuar me Kryeministrin Haradinaj, ndërsa në një konferencë të përbashkët për media të dy kanë deklaruar se po kërkojnë zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar.

http://kallxo.com/haradinaj-demarkacioni-jam-shprese-se-te-gjendet-nje-dalje/