Thaçi: Ndërkombëtarët amnistuan krimet e dhunimeve të luftës në Kosovë

Në moton “Të gjithë së bashku me një zë”, është mbajtur sot në Prishtinë konferenca në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë e organizuar nga të gjitha bashkësitë fetare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këtë rast pohoi së po bëhet një “amnisti e heshtur” nga misionet dhe Gjykata ndërkombëtare për të dënuar serbët që kanë kryer krime lufte.

“Jo vetëm të mbijetuarit e dhunës seksuale po e gjithë shoqëria jonë ka pasur nevojë për një zë të përbashkët. Me një zë të gjithë duhet të kërkojmë të lëmë pas një të kaluar të hidhur. Lufta për ne ka mbaruar në vitin 1999 por për të mbijetuarit e dhunës nuk ka përfunduar asnjëherë ato vuajnë në heshtje. Duhet të inkurajojmë të gjithë të mbijetuarit që të kalojnë të kaluarën e hidhur, jo t’i gjykojmë por t’i duam dhe t’i mbështesim. Më shumë së të gjithë të tjerë, kanë nevojë për përkrahjen e shtetit, institucionit. Çdo i mbijetuar duhet të gjejë guximin të flasë si Vasfija”, u shpreh presidenti, të hënën.

“Ka ndodhur një amnesti nga faktorët ndërkombëtarë. Nga administrata e UNMIK-ut asnjë nuk serb nuk është dënuar, Tribunali i Hagës as qe është marrë më to. EULEX-i është përpjekur, por nuk ka pasur sukses. Adresa për të kërkuar drejtësi është e qartë, është Beogradi zyrtar”, shtoi Thaçi.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, theksoi së viktimat e dhunës seksuale nuk kanë asnjë faj dhe si të tillë sipas tij, nevojitet koordinim mes institucioneve dhe shoqërisë që t’i ndihmojnë atyre, siç e tha ai që të kthehen në “binarët e jetës normale”.

“Dhuna ndaj shoqërisë civile të pambrojtur është i ndaluar si nga të gjitha fetë po edhe nga konventat ndërkombëtare. Këto janë vepra të dënueshme, të urrejtshme dhe si të tilla janë të kategorizuar si krime të luftës. Lufta e fundit ka lënë gjurmë të errët, e që nuk u zbardhë kurrë. Andaj motra dhe vëllezër ju them që të dëgjoni çfarë thotë Zoti për ju dhe jo njerëzit. Ne si shoqëri s’kemi marrë vendime si duhet pasi që duhet të trajtohen me prioritet duke filluar nga familjet e tyre. Ato dhe ata nuk bartin asnjë përgjegjësi faji, janë thjeshtë viktima të pamundësisë sonë për t’i mbrojtur ato. Nuk kemi asnjë të drejtë të ngrehim gishtin drejtuar tyre”, tha ai.

Ndërkaq, Don Lush Gjergji, tha së kjo çështje është heshtur gjatë edhe nga vetë viktimat për shkak të paragjykimeve dhe mospërkrahja nga familja dhe shoqëria.

“Duhet të thuhet që gjatë së kjo çështje është heshtur nga mos besimi, mungesa e argumenteve të rrezikut që i kanoset jo vetëm grave por edhe familjeve tona nga morali i dyfishtë se meshkujve u lejohet gjithçka e femrës asgjë. Duhet të shërohemi së pari ne, që s’kemi pasur guxim që të ballafaqohemi më këtë sfidë. Fatbardhësi si bashkësi fetare jemi vonuar por më mirë vonë së kurrë qe të takohemi, të bashkohemi”, tha ai.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha së ka grup të mbijetuarish nga dhuna seksuale që nuk duan të tregojnë të kaluarën e tyre të hidhur.

“Janë bërë 20 vite që kur ka përfunduar lufta po plagët kanë mbetur ende e rëndë për ata qe kanë humbur jetën për atë qe presin ende. Dikush pësoj më shumë sesa luftë psikologjike, në grupin e atyre qe e pësuan janë gratë që u dhunuan. Një moment që kujtojë nga detyra si presidente ishte takimi me një grup të dhunës. Kemi ende një grup që nuk duan që e vërteta të dalë në shesh, ne duhet të bëjmë ballafaqimin e tyre me të kaluarën qe të kalojnë atë. Sot duhet të punojmë më shumë për problemet dhe sfidat që përballen për një jetë të mirë larg frikës”, u shpreh Jahjaga.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, pati një kërkesë të veçantë drejtuar burrave kosovar.

“Keni bërë më shumë 1000 herë më shume së ne. Autorët e këtij krimi kanë faj për këtë krim por për stigmën ne e kemi fajin. Pajtohem me Thaçin që i nevojitet drejtësia, çdo viktime i nevojitet drejtësia nga çfarëdo komuniteti. Pyetja ime është a jemi gati t’i përkrahim viktimat e dhunës seksuale. Jo më një fotografi të postuar në Facebook nga pushimet, por me një deklaratë të familjes që keni mbështetjen time”, tha ambasadori.

Pas fjalimeve, krerët e bashkësive fetare e kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët për mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.