Hashim Thaçi | Foto: KALLXO.com

Thaçi kujton viktimat e masakrës së Dubravës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kujtoi përvjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës në luftën e fundit.

Thaçi përmes një statusi në Facebook, përshkroi vrasjet dhe torturat që ishin bërë në Burgun e Dubravës në vitin 1999.

“Në përvjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës i kujtojmë të gjithë të burgosurit shqiptarë që përjetuan jo vetëm persekutime sistematike, por edhe vrasje mizore nga forcat policore serbe. Duke pasur informacione se ky burg do të sulmohej prej forcave veri-atlantike, autoritetet serbe ato ditë kishin ekstraduar shumë të burgosur shqiptarë në këtë burg, për t’i vrarë dhe për t’ua veshur fajin forcave të NATO-s”, shkroi ai.

Ai po ashtu përmendi faktin që nuk ka të dënuar për ata që e bënë këtë masakër.

“Masakra e Dubravës është një prej tragjedive më të mëdha, autorët e së cilës ende nuk dolën para drejtësisë”, përfundoi ai.

19 vjet më parë filloi masakra në Burgun e Dubravës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Kjo masakër që nisi më 19 maj përfundoi më 24 maj, ndërsa gjatë saj u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 prej tyre.

Masakra e Burgut të Dubravës konsiderohet ndër më të mëdhatë të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë të vrarëve është e vendosur brenda këtij burgu, ndërsa për këtë masakër nuk është dënuar askush.