Qytetarit ia thyejnë veturën hajnat në parkingun e Burgut të Dubravës, i vjedhin para e dokumente

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se ditën e sotme i është thyer vetura në parkingun e Burgut të Dubravës.

Si pasojë e thyrjes së veturës, ai thotë se i kanë vjedhur para, dokumente, telefon e çantë krahu.

“Gjatë vizitës në Burgun e Dubravës, në parking hajnat ma kanë thyer xhamin e veturës dhe më kanë vjedhur 160 euro para, telefon, çantë krahu e gjësende të tjera. Policinë e kam lajmëruar, ata janë duke u marrë me rastin” – ka raportuar qytetari.

Në anën tjetër, edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:00.

“Rreth orës 11:00 Policia ka pranuar informatën, se në parkingun e Burgut të Dubravës, te porta numër 0 ka ndodhur një vjedhje, ku sipas viktimës, janë vjedhur para dhe dokumente. Hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar hetimet. Gjithashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar” – ka thënë Gashi.