Dosja e Prokurorisë – Tentativa e kontrabandimit të drogës në burgun e Dubravës përmes kamionit të ushqimit
Mbi gjysmë kilogrami marihuanë, 5 pako tableta të llojit ‘Dbolmax’, 212 tableta ‘metandrosenolon’, 11 telefona mobil, 8 kabllo për mbushjen e telefonave dhe 2 koka të kabllove mbushëse janë ato çka u gjetën në një prej kamionëve të ushqimit i cili po futej në burgun e Dubravës.
Ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.
Valdrin Jashari dhe Berat Salihu po akuzohen se këto “mallra” i kanë futur në kamion pa njohurinë e vozitësit me qëllim që t’i fusin brenda mureve të burgut të sigurisë së lartë në Dubravë.
Sipas aktakuzës, Jashari e Salihu kanë qenë të njoftuar me mënyrën se si bëhet futja e ushqimit brenda qendrës korrektuese e këtë e kanë shfrytëzuar për kryerjen e skemës për të cilën po akuzohen.
Fillimisht aktakuza thotë se i akuzuari Jashari ka mbështjellë narkotikët dhe telefonat dhe më pas e ka dërguar të bashkëakuzuarin Salihu që këto sende të i fus në kamion.
Në orët e hershme të mëngjesit të nëntorit të vitit që shkoi këto produkte u futën në një vrimë në kamion dhe vozitësi pa dijeni se çfarë po transportonte u nis për në Dubravë.
Mirëpo mallrat në fjalë nuk e kaluan pragun e burgut pasi që të njëjtat u gjetën gjatë kontrollit nga oficerët korrektues dhe më pas u sekuestruan.
Ani pse në dosjen e të kaluarës kriminale të të akuzuarit Valdrin Jashari figurojnë 2 aktgjykime të plotfuqishme me të cilat është dënuar pikërisht për vepra që kanë të bëjnë me drogë, i njëjti sipas dosjes po mbrohet në liri.
Përveç kësaj, ai figuron se është i dënuar edhe për armëmbajtje pa leje dhe për kanosje.
Për më tepër në dosje thuhet se përveç këtyre, Jashari është i dyshuar për 18 vepra penale prej të cilave 8 kanë të bëjnë me narkotik.
Ndërkaq edhe i akuzuari Berat Salihu rezulton të jetë i dyshuar në 9 raste, 1 prej të cilave ka të bëjë me narkotikë.
Në aktakuzën e përpiluar nga Prokurori Ersan Qavolli këto veprime janë inkriminuar me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Vepër kjo e dënueshme më së paku me gjobë e më së shumti me burgim deri në 12 vite.