Testi i Maturës del online edhe në Ferizaj e Gjilan, largohen 9 nxënës

Sot është mbajtur faza e parë e Testit të Maturës në rajonin e Ferizajit dhe Gjilanit.

Edhe sot ky test ka rrjedhur online në rrjetet sociale Facebook dhe Viber, sikurse në rajonin e Prishtinës pavarësisht masave të paralajmëruara nga MAShT.

Për parregullësitë e mundura, kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj tha për KALLXO.com se do t’i bëjë publike pas mbledhjes që do ta mbajnë sot.

Kurse, drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani tha për KALLXO.com se janë larguar 9 nxënës për përdorim të telefonit.

“Në komunën e Ferizajt nga Testi i Maturës janë larguar 9 nxënës për shkak të përdorimit të telefonit”, tha Llabjani.

Kurse, drejtori i Arsimit në komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica tha për KALLXO.com se testi i maturës shtetërore është zhvilluar pa asnjë incident.

“Jo në bazë të informatave zyrtare nuk kemi pasur ndonjë problem, testi ka ecur në rregull dhe nuk kemi të lajmëruar për ndonjë problem gjatë këtij testi në 11 qendra. Asnjë nxënës nuk është larguar në bazë të informatave të administruesve”, tha Gagica.

Testi që pritet t’i nënshtrohen rreth 27 mijë nxënës është ndarë edhe këtë vit në regjione.

Renditja e regjioneve sipas tërheqjes së shortit do të jetë e njëjtë edhe në pjesën e dytë të Testit të Maturës, e cila fillon më 19.06.2019 në regjionin e Prishtinës, më 20.06.2019 në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit, më 21.06.2019 në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës dhe më 22.06.2019 në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës.