Foto: Ilustrim

Tentim Vrasje në Novosellë të Malishevës

Policia e stacionit policor të Malishevës ka arrestuar një person nga fshati Novosellë e kësaj komune, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:05.

“Me datën 14.06.2016 në orën 23:05 Policia në Malishevë është njoftuar se ka shkrepje me armë zjarri në fshatin Novosellë të kësaj komune. Patrullat e Policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur një ‘tentim vrasje’ për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth pronës”, njofton Policia Rajonale e Gjakovës.

Personi i dyshuar për këtë vepër është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkaq në vendngjarje është konfiskuar një pistoletë dhe disa fishekë.

“Policia ka arrestuar të dyshuarin I. Z. (1969), i cili me armë zjarri të mbajtur pa leje kishte qëlluar me një plumb në dorën e majtë viktimën B. Z. (1970). Viktima është dërguar për tretman mjekësor fillimisht në QKMF-Malishevë e më pas është transferuar në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm”, njofton Policia.

Viktima nuk është në rrezik për jetën, thekson komunikata e Policisë.

Në konsultim me prokurorin e shtetit i arrestuari po mbahet në ndalim policor ndërsa rasti po hetohet nga njësiti i hetimeve të stacionit policor në Malishevë.