Gjykimi i zyrtarit të ATK-së për korrupsion (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Të dëmtuarit nuk ndihen të dëmtuar në gjykimin e zyrtarit të ATK-së

Dy të akuzuarit Nehat Zeqa dhe Fisnik Sejdiu po përballen me akuzat e Prokurorisë për pesë vepra penale të keqpërdorimit të detyrës se në bashkëpunim kanë udhëzuar njerëzit për kryerjen e shërbimeve të kontabilitetit te Sejdiu.

Ky proces gjyqësor që po zhvillohet ndaj Zeqës dhe Sejdiut është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale. Madje, siç u tha në sallë të Gjykatës, ka munguar ekzistimi i dëmit pasi që të dëmtuarit kishin deklaruar se me veprimet e të akuzuarve nuk kanë pësuar asnjë dëm.

Nehat Zeqa aktualisht është suspenduar nga pozita e tij në ATK, derisa Fisnik Sejdiu është kontabilist privat.

Në gjykimin e kaluar, Gjykata kishte dënuar Zeqën me 2 vjet e 6 muaj burgim, derisa Sejdiun me 3 vjet burgim.

Gjatë seancës së sotme, pasi iu lexua aktakuza nga ana e prokurores Besa Limani, përsëri dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Dy nga katër të dëmtuarit, Milot Miftari dhe Shefqet Avdiu, po ashtu prezantuan në sallën e Gjykatës.

Asnjëri nga ta nuk paraqiti kërkesë pasurore- juridike, madje Avdiu tha se asnjëherë nuk i është rekomanduar i akuzuari Fisnik si kontabilist, ashtu siç pretendon aktakuza.

Gjatë fjalës hyrëse të prokurores, e cila tregoi provat të cilat posedojnë e që sipas saj do të vërtetojnë tezën e akuzës, kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, kërkoi nga prokurorja të dijë se kush është palë e dëmtuar në këtë rast, si dhe a ka prova përmes së cilave do të argumentonte dëmin e shkaktuar, me arsyetimin se të dëmtuarit në gjykimin e kaluar kanë deklaruar se nuk e ndjejnë veten fajtor.

Ndërkaq, avokati i Zeqajt, Smajl Hyseni, në fjalën hyrëse deklaroi se nuk është vërtetuar me asnjë provë se të akuzuarit në fjalë e kanë dëmtuar ndokënd.

“Andaj, nëse i referohem aktvendimit të shkallës së dytë, se pari dua të vërtetohet dëmi i shkaktuar e më pastaj të shqiptohet dënimi. Dëmi nuk është vërtetuar kurse në të kundërtën dënimi është shqiptuar andaj si të tillë e kundërshtojmë”, tha Hyseni.

Ndërkaq, avokati i Sejdiut, Ramë Dreshaj, tha se ka bindjen e plotë se ky trup gjykues duke vepruar sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit do të vërtetohet në përfundim të këtij gjykimi pafajësia e Sejdiut.

Seanca e radhës u caktua për muajin qershor.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nehat Zeqa, në cilësinë e inspektorit tatimor në Agjencinë Tatimore të Kosovës dhe akuzuari Fisnik Sejdiu, kontabilist privat, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë shpërdorur pozitën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që i akuzuari Nehat Zeqa, gjatë muajit gusht të vitit 2012 fillimisht i ka rekomanduar të dëmtuarit Skender Krasniqi, ndërtues privat, që të angazhojë për shërbimet e kontabilitetit të akuzuarin Fisnik Sejdiun.

Aktakuza më tej thotë se i dëmtuari është takuar me të akuzuarin Sejdiu më 23 gusht të vitit 2012 në restorantin “Cao” në Prishtinë, me ç‘ rast të akuzuarit kanë kërkuar nga i dëmtuari shumën prej 7.500 euro, kinse për t’ia rregulluar obligimet tatimore pranë ATK- së.

Sipas Prokurorisë, këto të holla i dëmtuari ia ka dorëzuar të akuzuarit Fisnik Sejdiu, shumën prej 3.000 euro në kesh, si dhe më 4 shtator 2012, shumën prej 1.000 euro në kesh, si dhe 2.900 euro në kesh, po ashtu më 18 shtator 2012 shumën prej 5.000 euro në kesh, duke përfituar në këtë mënyrë shumën e përgjithshme prej 11.900 euro, në dëm të të dëmtuarit Skender Krasniqit.

Pikat tjera të aktakuzës ngarkojnë të akuzuarit se në mënyrë të njëjtë si më lart, kanë përfituar shumën e përgjithshme prej 22.870,00 euro, në dëm të të dëmtuarit Shefqet Gashi, 4.000 euro në dëm të të dëmtuarit Milot Miftari, 2.500 euro në dëm të Shefqet Avdisë, si dhe 6.000 euro në dëm të Jakup Tahirit.

Me këto veprime, Prokuroria pretendon se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.