Foto: KALLXO.com

Përfundon gjykimi i ish-gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion, caktohet data e shpalljes së vendimit

Në Gjykatën e Prishtinës sot ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor kundër Sali Berishës, ish – gjyqtar në Gjykatën Themelore të Pejës, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë kësaj seance palët dhanë fjalët përfundimtare.

Prokurori Ilir Morina, i cili e zëvendësonte prokuroren e rastit, Iliriana Çollaku Tafa, tha se Prokuroria mbetet pranë aktakuzës dhe kërkoi nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë me dënim adekuat sipas ligjit.

Po ashtu, prokurori ka kërkuar nga Gjykata që në rastin e matjes së dënimit të marrë si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes që ka pasur i pandehuri gjatë kryerjes së veprës e cila i vihet në barrë.

Po ashtu, prokurori theksoi se i pandehuri kishte pranuar edhe pjesën e mbetur të ryshfetit të pretenduar.

“Sali Berisha, i cili shihet se menjëherë pas orarit të punës si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, me veturën e tij kishte shkuar në vendtakimin e caktuar më parë, ku në kohën e caktuar e priste dëshmitari F.Z., ishte takuar me të, si me një person tashmë kaherë të njohur, për të marrë pjesën e mbetur të shumës së ryshfetit për favoret të cilat ia kishte kryer më parë atij, duke keqpërdorur detyrën e tij” – u shpreh ai.

Ndërsa, avokati i të pandehurit, Besnik Berisha, tha se me këtë deklaratë Prokuroria ka ndryshuar në thelb aktakuzën dhe se kjo i tingëllon si një aktakuzë e re.

“Nga kjo përmbledhje e argumenteve përmbyllëse të Prokurorisë rezulton se Sali Berisha ka aktakuzë të re, ka identitet faktik tërësisht më ndryshe nga ajo që e ngarkon në dispozitiv Prokuroria” – theksoi avokati në fjalën e tij përfundimtare. “Gjueti e Prokurorisë për të hedhur gjithçka me shpresë se fiton gjykimin” – tha tutje ai.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit insistoi në pafajësinë e ish-gjyqtarit.

Ndër të tjera, ai tha se dëshmitarët e Prokurorisë kanë qenë të “trajnuar” për t’u përgjigjur gjatë dëshmisë, se Prokuroria u bë si gjykatë e shkallës së pestë si dhe se Prokuroria e ka humbur logjikën.

Avokati tha se dëshmitari kryesor F.Z. është recidivist, i dënuar për mashtrim në disa raste.

I akuzuari Sali Berisha u shpreh se nuk do të shtojë asgjë dhe mbetet pas deklaratës së mbrojtësit të tij.

Trupi gjykues e shpalli këtë çështje të mbyllur.

Shpalljen e aktgjykimit e caktoi për më 28 prill.

Kujtojmë që në qershor të vitit 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F.Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.