Gjykata vendos për tre të akuzuarit për korrupsion

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarve për korrupsion: Natasha Maksimoviq, Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj.

Tre të lartcekurit janë akuzuar nga Prokuroria lidhur me regjistrimin e një parcele toke.

E akuzuara Maksimoviq, në cilësinë e referentes në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë Mehmeti dhe Lleshaj për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë.

Gjykata e Prishtinës ka liruar Natasha Maksimoviqin dhe Valmir Lleshajn nga aktakuza me pretekstin se nuk është arritur të vërtetohet se kanë kryer veprën penale për të cilën ishin akuzuar.

Ndërsa, të akuzuarin Ismet Mehmeti Gjykata e ka shpallur fajtor, duke i shqiptuar dënimin me burg prej 3 vitesh.

Sipas aktakuzës i pandehuri Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanicë, dhe më 16 gusht 2012, ku ka paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq, paluajtshmëria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, hartojnë kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq, ashtu që të akuzuarit e vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit e vërtetojnë kontratën në fjalë me vlerë prej 9.500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas  i akuzuari Valmir Lleshaj më 7 shtator 2012, paraqet kërkesë për bartjen e paluajtshmerisë në fjalë në emër të tij, me ç‘rast vë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe ka arritur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij. Për këtë veprime  të pandehurit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Kurse sipas aktakuzës e pandehura Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9.500 euro mbi shitblerjen e paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq. Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Dështon seanca, Prokuroria nuk i pajisi të akuzuarit me shkresat e lëndës