Foto: KALLXO.com
Eksperti financiar dëshmon në gjykimin ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës
Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj ish-inspektorit të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, i cili po akuzohet për korrupsion.
Në këtë rast Prokuroria akuzon edhe Mërgim Shalën, Skender Canollin dhe Vehbi Abdullahun, që të gjithë ish-zyrtarë në sektorin e inspeksionit për ndërtim në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës.
Sot ka dëshmuar eksperti financiar, Vehbi Imeri, i cili tregoi se në ekspertizën e tij kishte kategorizuar objektet, në objekte me leje, objekte pa leje dhe ato me tejkalim.
Në pyetjen e prokurorit se çfarë metode ishte aplikuar në përcaktimin e dëmit për buxhetin e Komunës së Prishtinës të këtyre tri kategorive, eksperti u përgjigj se përllogaritja është bërë mbi bazën e lejeve të ndërtimit të cilat do të duhej të merreshin për sipërfaqen e cila është ndërtuar.
“Ekzistimi i dëmit është përllogaritur mbi bazën e lejeve të ndërtimit të cilat do të duhej të merreshin për sipërfaqen e cila është ndërtuar si dhe për sipërfaqet e tejkaluara dhe nga kjo përllogaritje janë zbritur të gjitha ato leje të cilat janë miratuar dhe për të cilat janë pajisur ndërtimtarët me leje ndërtimi dhe kanë kryer pagesat konform tarifave të përcaktuara me ligj dhe rregullore komunale nga këto vlera për ato ndërtime për të cilat nuk është arritur të merret leja deri në ditën e hartimit të ekspertizës dhe të cilat nuk janë legalizuar përfundimisht deri në atë datë është llogaritur vlera totale si dëm i shkaktuar ndaj Komunës”- u përgjigj eksperti
Eksperti vazhdoi tutje duke shpjeguar dëmin që i është shkaktuar Komunës së Prishtinës.
“Ndërsa për ato ndërtime për të cilat janë pajisur me procedurë të legalizimit është llogaritur vetëm diferenca mes lartësisë së pagesës për leje të ndërtimit dhe pjesës së paguar për legalizim, kjo diference ka paraqitur pjesën e dëmit që i është shkaktuar Komunës së Prishtinës”- shpjegoi eksperti.
Në pyetjen e prokurores së shtetit se a është dëmtuar buxheti i Prishtinës në momentin kur objektet të cilat kanë qenë duke u ndërtuar e disa edhe në përfundim janë pajisur me leje, eksperti u përgjigj që Komuna nuk është dëmtuar në buxhet tek objektet që janë pajisur me leje ndërtimi, pasi kanë filluar ndërtimin e atyre objekteve.
“Për të gjitha lejet e ndërtimit me të cilat janë pajisur gjatë kohës së kryerjes së ndërtimeve apo edhe pas përfundimit të ndërtimit pasi paska edhe raste të tilla konsideroj se buxheti i Komunës nuk është dëmtuar për asnjë cent”- tha tutje dëshmitari.
I njëjti gjithashtu tha që për të hartuar një ekspertizë financiare dhe për të marrë një mendim dhe konstatim profesional, bazë për përcaktimin e kësaj janë shkresat e lëndës, ndërsa si metodologji shkencore janë analizat e përfshira në ekspertizë dhe janë ekskluzivisht analiza financiare e që bazohen në dokumentacionet që kanë qenë në shkresa të lëndës.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 24 shkurt të këtij viti, kur do të vazhdojë marrja në pyetje e ekspertit nga ana e Gjykatës.
Kujtojmë se në muajin prill të vitit 2018 dhjetë nga zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë dënuar nga Gjykata me rreth 20 vjet burgim dhe disa prej tyre edhe me gjobë.
Kundër këtij vendimi mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilat janë aprovuar nga kjo e fundit dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.
Gjykata pas rigjykimit për herë të dytë ka shpallur fajtorë dhjetë të akuzuarit dhe i ka dënuar secilin me nga 6 muaj burgim dhe me gjobë.
Të pakënaqur me këtë dënim të akuzuarit Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme.
Në këto rrethana aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit u anuluan nga ajo Supreme e cila udhëzoi që rasti të rivendoset për herën e tretë.
Ndërkaq, në seancë të datës 15 dhjetorit të vitit 2021, prokurorja Drita Hajdari e ka ndryshuar aktakuzën si në vijim:
Pika e parë – të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e dytë, ku përfshihet objekti “Dodona”, Abdullahu, Haliti e Canolli akuzohen për bashkëkryerje në veprën – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e tretë e aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ku përfshihet objekti në “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”.
Në pikën katër dhe pesë tek objekti nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest” i akuzuari Haliti akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, i akuzuari Shala akuzohet për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.