(Arkiv) Foto: KALLXO.com
I akuzuar për korrupsion, ish-gjyqtari Sali Berisha thotë se është viktimë e një mashtruesi profesionist
Ish-gjyqtari Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje, ka përfunduar dhënien e mbrojtjes së tij.
Berisha mbrojtjen e tij e ka dhënë në pesë seanca.
Në seancën e sotme, i akuzuari tha se kishte dalë në takim me F.Z. vetëm pas insistimit të këtij të fundit, me qëllim që ta largojë e mos të ketë thirrje të vazhdueshme prej tij.
“Kam pranu me dalë në takim, pas shumë thirrjeve, dhe insistimeve të tij dhe vetëm me qëllim sa me largu dhe mos me m’thirrë më, dhe se nuk kam pasë asnjë qëllim për asnjë moment të planifikuar për ndonjë përfitim”- tha ish-gjyqtari Berisha.
I njëjti në pyetjen e mbrojtësit Besnik Berisha se a kishte pritshmëri se në atë takim do t’i dorëzoheshin dy zarfe me qëllim që t’i dërgohen personit me pseudonimin “Daja”, ish-gjyqtari Berisha tha që në asnjë mënyrë nuk ka pasur dijeni se do të ketë zarfe apo diçka te ngjashme që F.Z. i ka ofruar të pandehurit.
I pandehuri tha që kishte rënë në kurthin e përgatitur nga F.Z., i cili sipas tij ishte një profesionist që është në gjendje të manipulojë të gjithë.
“Siç kam theksuar edhe në seancën e kaluar se sikur kish pasë dikush qëllim për ndonjë përfitim, nuk e kish lënë me pritë 5-6 orë…, kurrë s’ka pasë qëllim përfitimi, as premtimi, dhe as një lloj ndikimi… por shkurt kam ra në një kurth të përgatitur nga një profesionist i cili me aftësitë e tij është në gjendje të manipulojë pothuajse me çdo njeri” – tha tutje Berisha.
Ish-gjyqtari pohoi në pyetjen e mbrojtësit të tij që e tërë ngjarja e datës 19 shtator të vitit 2019 nuk do të ndodhte sikur të mos ishte nxitja, ndikimi dhe insistimi i vazhdueshëm i F.Z.
“Po ajo del edhe prej transkriptit që dalin prej fjalëve të tij, dhe siç kam theksuar në seancën e kaluar se është fjala për një mashtrues profesionist, me një përvojë shumë të gjatë në këtë lami, i cili i ka qit në kurth disa gjyqtarë dhe po ashtu kam theksuar se në qoftë se dikush tjetër i ka marrë ato që ai theksojke atëherë…”- u përgjigj Sali Berisha.
I njëjti shfrytëzoi të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje në pyetjet që pritej të parashtroheshin nga prokurori dhe nga trupi gjykues.
Në fund Gjykata me aktvendim refuzoi propozimin e mbrojtjes së Sali Berishës që si prova të administrohen ecuria e procedurës në raport me raportin njoftues te datës 18.11.2022 të oficerit Visar Shala dhe vendimin e datës 10.2.2020.
Seanca e radhës do të mbahet më 24 prill të këtij viti, kur do të jepen fjalët përfundimtare nga palët.
Kujtojmë që në qershor të vitit 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.
Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.
Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F.Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.
Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.
Gjykatësi Sali Berisha në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.