Seanca gjyqesore ndaj të akuzuarve Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejavoniq - FOTO KALLXO - 15 nentor 2018

Të akuzuarit për dhënien e tokës komunale Banjës Nëna Naile deklarohen rreth fajësisë

Sasha Mirkoviq ish-kryetar i komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq, kryetar i Kuvendit komunal të Kllokotit, u paraqitën të enjten në gjykatën e Gjilanit, për të dhënë mbrojtjen e tyre për akuzën keqpërdorim i detyrës zyrtare të ngritur nga Prokuroria e shtetit në Gjilan.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, të udhëhequr nga trupi gjykues Agim Ademi kryetar, Zyhdi Haziri dhe Boban Aleksiq anëtarë, fillimisht u dëgjua dëshmia e dëshmitarit Nikolla Noikiq.

Ky dëshmitar, tregoi për mënyrën se si i ishte dhënë në shfrytëzim Banjës Nëna Naile një parcelë katastrale e komunës së Kllokotit, në vitin 2012 nga komuna e Kllokotit.

“Sipas dokumentacionit diku në vitin 2012, i është dhënë Banjës Nëna Naile në shfrytëzim kjo parcelë, për numrin e së cilës nuk e di, por i ishte dhënë nga kryetari i atëhershëm Sasha Mirkoviq, mbi bazën e një vendimi të marrë nga Kuvendi komunal i Kllokotit dhe nënshkuar nga Zharko Dejanoviq”, tha dëshmitari Noikiq.

Dëshmitari tregoi se si fillimisht Banja Nëna Naile kishte bërë kërkesë që të marrë në shfrytëzim këtë ngastër duke ofruar çmimin prej 300-350 euro, për të cilën s’i kujtohet a ka qenë pagesë mujore apo vjetore. Më pasë, dëshmitari ka rrëfyer se, kryetari Sasha Mirkoviq, duke u përgjigjur në këtë kërkesë i ka kërkuar çmimin prej 500-550 euro, dhe kështu, Banja Naile e ka pranuar çmimin dhe ka kaluar lënda pastaj në Kuvend komunal të Kllokotit ku është miratuar dhe nënshkruar nga Zharko Dejanoviq.

Dëshmitari Noikiq, më tej sqaroi se lidhur me këtë pronë nuk ka pasur ndonjë ankand publik, e as nuk ka pasur ndonjë komision lidhur me përcaktimin e çmimit, por kjo është bërë vetëm ndërmjet përfaqësuesit të Banjës Nëna Naile dhe kryetarit të komunës Sasha Mirkoviq.

Sa i përket pagesës së qirasë komunës së Kllokotit për këtë ngastër, dëshmitari tregoi se para paraqitjes së kërkesës, Banja Nëna Naile nuk ka paguar qira për këtë tokë, sepse, sipas tij “nuk ka pasur në bazë të çkahit me pagu”.

Po edhe pasi ishte arritur marrëveshja në fjalë, ky dëshmitar tregoi se qiraja nuk ishte paguar e gjitha, sepse Banja Nëna Naile “nuk ka paguar menjëherë, por pas një kohe ka fillu të paguaj”, tha dëshmitari Nikola Noikiq.

Këto të dhëna ai tha se i ka parë gjatë kohës sa ishte drejtor i financave në vitet 2014-2017 në komunën e Kllokotit, kurse para kësaj date kishte punuar në komunën paralele të Kllokotit në komunën e Vitisë.

Shqyrtimi gjyqësor më tej vazhdoi më procedurën e leximit të shkresave ku u lexuan provat materiale siç janë të cekura në shkresat  e lëndës, si dhe me marrjen në pyetje të të akuzuarëve.

I akuzuari Sasha Mirkoviq, fillimisht deklaroi se nuk e pranoj fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë. Kurse lidhur me procedurat e dhënies së qirasë ngastrën komunale Banjës Nëna Naile, ai tha se kjo parcelë i ishte dhënë në vitin 2012 Banjës Nëna Naile, duke shtuar se kjo banjë këtë parcelë e ka shfrytëzuar edhe më herët kur komuna e Vitisë ia kishte dhënë në shfrytëzim.

Sasha Mirkoviq, tregoi se ai si kryetar i komunës, kishte kërkuar që të bahet pagesa e qirasë dhe kjo kishte filluar të ndodhë pasi ishin përfunduar procedurat.

Sasha Mirkoviq pranoi se herën e parë kur ia kanë dhënë për shfrytëzim këtë parcelë Banjës Nëna Naile, nuk ka pasur tender e as komision të themeluar për shpalljen e tenderit dhe se e njejta parcelë është shfrytëzuar nga kjo banjë edhe kur ishte anuluar vendimi nga organet qendrore të Kosovës. Ai më tutje shtoi se, “pas 2-3 muajëve nga vendimi i parë, MAPL na ka njoftuar për parregullsitë në procedurën e dhënies me qira të kësaj parcele”.

Në pyetjen e gjyqtarit Zyhdi Haziri se a ke përfitu t`i diçka materialisht nga kjo situatë, ai u përgjgj duke thënë se “Unë asnjëherë nuk kam përfitu asgjë nga banja Nëna Naile”, tha ndër të tjera Markoviq.

Procesi gjyqësor më tej vazhdoi me marrjen në pyetje të akuzuarin Zharko Dejanoviq.

Zharko Dejanoviq, kryetar i Kuvendit komunal të Kllokotit  tregoi rrëfimin e tij mbi dhënjen e qirasë të parcelës së komunës Banjës Nëna Naile.

“Kemi marrë një vendim në kuvendin komunal në vitin 2012, dhe pas kontrollit të MAPL na kanë kthyer vendimin për dhënien e ngastrës kadastrale banjës Nëna Naile, për shkak të mosnjohurive nuk janë respektuar procedurat, dhe nuk është shpallur tenderi”, tha Dejanoviq.

Ai më tutje tregoi se parcelën për shfrytëzim Banjës Nëna Naile ia ka dhënë Kuvendi komunal i Kllokotit, dhe se vendimi ishte anuluar sepse nuk ka pasur ankand publik.

Në pyetjen e prokurorit Arben Ismajli se a keni pasur njohuri për ligjin e dhënies për shfrytëzim të pronave komunale?

I  akuzuari Dejanoviq, deklaroi se “Në atë kohë nuk kam pasur njohuri për ekzistimin e ligjit të tillë”.

Zharko Dejanoviq më tej tregoi se, nuk i kujtohet a kishte pasur komision për vlerësimin e lartësisë së qirasë me rastin e marrjes së vendimit të parë për dhënjen në shfrytëzim parcelën e komunës së Kllokotit, Banjës Nëna Naile.

Më tutje ai deklaroi se deri sa është marrë vendimi i dytë nuk është bërë pagesa e qirasë nga Banja Nëna Naile, dhe se këtë parcelë kjo banjë e ka shfrytëzu edhe para vitit 2010, madje sipas tij, deri sa është marrë ky vendim, komuna e Kllokotit nuk ka mundur ta kërkoi pagesën e qirasë për parcelën në fjalë.

“Nëna Naile nuk ka pasë obligim me ba pagesën derisa nuk ka pasë kontratë”, tha i akuzuari Dejanoviq.

Në pyetjen e gjyqtarit Zyhdi Haziri se kur ke dëgju që Banja Nëna Naile po shfrytëzon këtë ngastër?

I akuzuari Dejanoviq, u përgjigj duke deklaruar se, “për herë të parë kishte dëgjuar në vitin 2012 kur ka ardhë në rend dite në Kuvend komunal, pasi ishin njoftuar nga drejtori i Kadastrit”. Për fund ai shtoi se “këtë parcelë e ka dhënë me qira kuvendi komunal e jo kryetari i komunës dhe se nuk ka përfituar asgjë materialisht nga ky rast, kurse pronarin e banjës Nëna Naile e ka parë për herë të parë në gjykatore”.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arben Ismajli thuhet se  Sasha Mirkoviq, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Kuvendit komunal të Kllokotit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personin Dardan Novosella, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, sepse, pa i përfillur procedurat ligjore, kanë nxjerrë vendimin nr. 2061/2 dhe ia kanë dhënë në shfrytëzim – qera ngastrën kadastrale me nr. P. 73701026-00974-44 me sipërfaqe, 22.56m katror ZK, Kllokot për periudhë 10 vjeçare, Q.M.F.R, “Banja Nëna Naile” në Kllokot, pronë e Dardan Novosella, në shume prej 550 euro, për të cilën me datë: 15.05.2013, nuk është paguar dhe inkasuar qeraja, në këtë mënyrë buxhetit të komunës së Kllokotit i kanë shkaktuar dëme materiale, prej: 7 mijë e 700 euro.

Seanca e radhës do të vazhdoi më datë 26 Nëntor: https://kallxo.com/te-akuzuarit-per-keqperdorim-te-detyres-sasha-mirkoviq-dhe-zharko-dejavoniq-nuk-paraqiten-ne-gjykaten-e-gjilanit/