Të Akuzuarit nuk e Pranojnë Vrasjen në ‘Bon Vivant’

Pasi që kryetarja e trupit gjykues është ndërruar, në seancën e sotme është lexuar sërish aktakuza nga prokurorja Ferdane Sylejmani, ndërsa të akuzuarit përsëri janë pyetur se a e pranojnë fajësinë për këtë vrasje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin se në bashkëkryerje kanë vrarë Rrahman Ukën, roje e lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë më 13 tetor 2014.

I akuzuari Masar Gërdovci tha se e pranon fajësinë për veprën e armëmbajtjes pa leje ndërsa nuk e pranoi veprën e vrasjes.

Këtë deklarim e mbështeti avokati i tij, Mexhid Syla.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Sherif Krasniqi, u deklarua i pafajshëm për akuzat që e ngarkojnë.

Avokatët propozuan që dy të akuzuarve t’u ndërpritet masa e paraburgimit ose kjo masë t’u zëvendësohet me një masë tjetër alternative, por këtë propozim e kundërshtoi prokurorja.

Gjykata vendosi t’i refuzojë propozimet e avokatëve për ndryshimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë tjetër.

Nikë Shala mbrojtës i Sherif Krasniqit tha pas seancës se nga hetimet e zhvilluara nga prokuroria nuk rezulton se i mbrojtur i tij e ka kryer këtë vrasje dhe as që ka pasur me vete armë atë ditë.

“Konsideroj se gjatë hetimeve të zhvilluara nga ana e prokurorisë, nga mbrojtja e klientit tim dhe personave të dëgjuar në këtë çështje penale në bazë të përshkrimit që e kanë bërë personat, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se klienti im është kryes i kësaj vepre penale për fat të keq të vrasjes dhe fare nuk ka poseduar armë ditën kritike për fat të keq ku ka ndodhur ngjarja tragjike”, tha Shala.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për vrasjen në “Bon Vivant”.

http://kallxo.com/i-akuzuari-per-vrasjen-ne-bon-vivant-ne-ekzaminim-mjekesor/

http://kallxo.com/edhe-dy-muaj-paraburgim-te-dyshuarve-per-vrasjen-ne-bon-vivant/