Takimi i kryesive të degëve të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në nivel të Evropës, Foto: Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare

Takohen udhëheqësit e bizneseve shqiptare në diasporë

Në Dusseldorf të Gjermanisë janë takuar kryesitë e degëve të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në nivel të Evropës.

Ata që i udhëheqin ndërmarrjet shqiptare në diasporë, kanë qenë në një takim të përbashkët pune, për t’i koordinuar hapat e mëtutjeshëm të punës së Rrjetit në nivel të Evropës.

“Kjo organizatë që ka në vete rreth 30 degë në gjithë Evropën, po e tejkalon fazën e takimeve miqësore dhe të karakterit njoftues dhe po kalon në fazën konkrete të propozimit dhe realizimit të projekteve të përbashkëta, gjithmonë me objektivin për të investuar në vendet tona të origjinës”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Bizneseve  të Diasporës Shqiptare.

Lazim Destani, kryetari i nderit i Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare dhe njëherësh themeluesi i ndërmarrjes internacionale “Ekolog” tha që rrjeti duhet të kaloj në fazën e konkretizimit të punës dhe avancimit të projekteve tona të përbashkëta.

“Përgjegjësia jonë si biznesmen të diasporës është e madhe ndaj popullit tonë, dhe potencoj fuqinë që e ka diaspora për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë tonë, duke qenë të bashkuar, pa dallim a vjen nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, ngase në Diasporë ne jemi të gjithë bashkë”, tha Destani.

Në këtë takim të organizuar nga Yll Blakaj, kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare për Evropë, u diskutua për statutin e organizatës dhe u rekomanduan propozime dhe drafti final i këtij statuti do të votohet në shtator të këtij viti.

“Ky takim i ynë është një para përgatitje për takimin e shtatorit. Një mundësi për diskutim rreth statutit, një mundësi për të dëgjuar kryetarët e degëve se si kanë punuar në vendet e tyre, çfarë suksese dhe sfida kanë pasur ndërkohë”, ka thënë Blakaj.

Profesori, Abdylmenaf Bexheti, i cili ka përgatitur infrastrukturën ligjore të RrBDSH-së nga fillimi, prezantoi para kryesisë së degëve të Evropës, draftin e statutit dhe përmblodhi dhe elaboroi pikat kyçe që i rregullon dhe i parasheh statuti.

Ai mori disa rekomandime interesante, të cilat do t’i inkorporoj në draftin final dhe gjithçka do të jetë gati për takimin qendror që do të mbahet në shtator.

Në muajin shtator përveç votimit të statutit, RrBDSH-ja organizon zgjedhjet e kryesisë dhe votohet se kush do të udhëheq organizatën katër vitet e ardhshme.

Në takimin e Dusseldorfit, ku nikoqir ishte presidenti i nderit, Lazim Destani, kontributin e tyre në mbarëvajtjen e punës e dhanë kryesitë e degëve që ishin konstruktivë dhe të vendosur për të vazhduar punën e përbashkët duke pasur secili idealin e madh, që kjo organizatë të bashkoj edhe më tutje ndërmarrësit shqiptarë kudo që janë.

“Kurrë se kisha parë Rrjetin kaq homogjen dhe në një vijë mendimi. Duke qenë në rolin e kryetarit të nderit, e çmoj lart ruajtjen dhe forcimin e unitetit pasi këto paraqesin pikënisjen tonë parësore statutore por edhe njerëzore, me përmbushë edhe shpirtërisht këtë mision të suksesshëm”, është shprehur Destani.

Në këtë takim u arrit edhe marrëveshja e unifikimit të dy degëve që kanë vepruar në Gjermani deri tash dhe tani Gjermania do të përfaqësohet vetëm me një degë të Rrjetit.

Kryetari i degës tashmë të unifikuar u zgjodh Nazmi Viqa kurse nënkryetari i parë, Mustaf Abazi, të dy biznesmenë të suksesshëm.

Në këtë takim të pranishëm ishin,  Lazim Destani, Abdylmenaf Bexheti nga Austria: Yll Blakaj, Lindita Fetiu Sina nga Zvicra: Qamil Jusufi, Mirela Mezani, nga Gjermania: Bekim Brestovci, Nazmi Viqa dhe Gani Nuha, Vllaznim Kelmendi, nga Londra: Artan Llabjani, Eriona Barakutaj, nga Finlanda: Omer Nura, nga Berlini: Mustaf Abazi, Burim Mehmeti, nga Franca: Hasis Vardar, Astrit Hashani, Ismet Mehmeti nga Italia: Vat Marashi nga Sllovenia: Tahir Maliqaj nga Brukseli: Amet Gjanaj.