Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Qeveria e Kosovës

Tahiri: Qeveria do të Pengojë Veprimtarinë e ‘Nis Petrol’-it

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë veprimtarinë joligjore të kompanisë nga Serbia “Nis Petrol”, e cila merret me shitjen e derivateve të naftës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, kjo kompani po përgatitet për hapjen e tri pikave të shitjes në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Rreth kësaj çështjeje, Qeveria ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla, “që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”.

Sipas komunikatës, ministrja Edita Tahiri ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjellë naftën ruse në Kosovë.

“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin. Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri.

Komunikata njofton se ministrja për Dialog e kishte informuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për informacionin e publikuar nga mediat dhe pas inspektimit është konstatuar se informacioni është i saktë.

Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se “Nis Petrol” është kompani aksionarësh, ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë, thuhet në komunikatë.