Tahiri: Drejtësia 2020 synon zgjidhjen e rasteve të shumta gjyqësore

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se një ndër çështjet e para për të cilat ‘Drejtësia 2020’ do të angazhohet është përfundimi i rasteve të shumta gjyqësore.

“Që për vite të tëra mbajnë peng realizimin e drejtësisë për qytetarët tanë. Në funksion të kësaj, krahas masave tjera të rritjes së përgjegjësisë së menaxhimit të kalendarit të shqyrtimeve gjyqësore, po punojmë edhe në metodat alternative të zgjidhjes së kontesteve”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Më tej Tahiri ka thënë se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Ndërmjetësimin, në ditët në vijim do të rriten kapacitetet dhe numri i ndërmjetësuesve. 

“Të cilët janë agjent të rëndësishëm që do të mundësojnë zgjidhje të shpejtë, efikase dhe me kosto të ultë të mosmarrëveshjeve. Me ligjin e ri, kemi plotësuar direktivën e Bashkimit Evropian duke bërë ndërmjetësimin një masë obligative për disa lloje të çështjeve për të cilat qytetarët rëndom kanë pritur me vite në procese gjyqësore”, ka thënë Tahiri.  

Ministri i Drejtësisë ka shtuar se ndërmjetësuesit do të jenë pjesë integrale e sistemit të drejtësisë dhe do të shërbejnë si shtyllë e rëndësishme për një drejtësi të shpejtë, përmbajtjesore dhe në të cilën do të kenë besim qytetarët. 

“Barazia, neutraliteti, pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti janë segmentet e fytyrës së re të sistemit që duam dhe për të cilin do angazhohemi vazhdimisht”, ka përfunduar ministri Tahiri.