Skandali i heshtjes së ngacmimeve seksuale të nxënëseve në Gjakovë

Me 21 janar të këtij viti në Gjakovë u arrestua mësimdhënësi i gjuhës shqipe B.V. nga shkolla e mesme e ulët “Mazllum Këpuska”

Ai u arrestua nën dyshimet për ngacmim seksual të nxënësve të kësaj shkolle.

Ai po dyshohet se që nga shtatori i vitit 2018, në mënyrë të vazhdueshme ka filluar ngacmimet seksuale ndaj 27 nxënësve të një klase, duke përdorur fjalë joshëse dhe ledhatime në pjesë të ndryshme të trupit.

Prokuroria pretendon se me këto veprime mësuesi B.V. dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare” .

Kanë qenë vetë nxënëset ato që kanë deklaruar se janë ngacmuar nga mësuesi i tyre.

Nxënëset thonë se mësuesi B.V. ka pasur histori të sjelljeve të pahijshme në shkollën “Mazllum Këpuska”, në Gjakovë. Atij i ishte ndërruar edhe klasa në mënyrë që t’iu jep mësim nxënësve më të vegjël.

KALLXO.com ka vizituar shkollën fillore “Mazllum Këpuska”. Atje takuam drejtorin e kësaj shkolle Arbnor Pozhegu, i cili në asnjë mënyrë nuk deshi të fliste për rastin.

Përderisa drejtori i shkollës refuzoi të jap përgjigje në pyetjet e KALLXO.com , kryetari i Komunës së Gjakovës  Ardian Gjini tha se nuk ekziston ndonjë strategji e veçantë e Komunës së Gjakovës për t`ua lehtësuar nxënësve raportimet e ngacmimeve seksuale.

“Më vështirë vajzat e raportojnë rastin por në të njëjtën kohë ekziston një aset këtu, në shoqëritë e vogla të gjithë e dinë, ose shumica e dinë, është zor me fsheh këto akte për shkak se shoqëria është e vogël. Për këtë po them se nuk guxon të jetë indiferent askush edhe nëse një vajzë e vogël ngurron edhe plotësisht kuptohet të tjerët që e kanë ditur për 20 vite ka qenë dashtë me reagu”, tha Gjini për KALLXO.com

Gjini thotë se ai është njoftuar për rastin atëherë kur ka filluar punën edhe komisioni disiplinor në shkollën ku ka punuar mësuesi në fjalë.

“Nuk e kam ditë që ka ndodhë një kohë të gjatë dhe normalisht është kriju komisioni disiplinor. Ndërkohë pas disa ditëve ka ndodhur edhe arrestimi. Ajo që është me rëndësi ta them është që të gjithë njerëzit duhet me kuptu pastër peshën e një akti të tillë, nuk duhet me kalu me indiferencë. Ajo që më ka bërë më së shumti përshtypje është indiferenca, nëse diçka ka ndodhur me vite e me vite nuk është dashur të jenë indiferentë është dashur të merren masa më herët”, tha ai.

Mësimdhënësi që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nxënëset e tij është duke qëndruar në paraburgim prej datës 21 janar.

Në anën tjetër në Ministrinë e Arsimit thonë se nuk janë njoftuar për rastin e ngacmimit seksual të nxënëseve në Gjakovë.

Sipas Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, MASHT e ka në funksion edhe sistemin online ku të gjitha rastet e tilla duhet të lajmërohen.

Por sipas saj rasti i Gjakovës nuk ishte raportuar dhe se të për të njëjtin kishin kuptuar përmes mediave.

“Ky rast që po e kuptojmë të gjithë që është heshtur me vite të tëra në momentin që është inicuar raportimi për rastin në inspektorat ai është trajtuar dhe është referu në shërbimin e policisë dhe rasti është duke u trajtu. Rastet që referohen në sistemin SMIA zyrtarisht nuk guxojnë të heshtën fare. Rastet minimizohen e heshtën, këto rastet e tipit të abuzimit seksual ka indikacione të heshtjes së rasteve me iniciative të vet prindërve të fëmijëve. Ka raste që nuk duan me e trajtu lëndën më tutje për shkak të imazhit të familjes”, tha ajo.

Edhe pse ky shërbim i raportimit të rasteve është tash e disa vite në shërbim të shkollave ku drejtorët përkatës duhet t`i raportojnë rastet e ngacmimeve seksuale, apo të dhunës, deri më tani kjo është neglizhuar nga ana e drejtorëve.

Sipas të dhënave të MASHT, numri më i madh i raportimeve deri më tani në sistemin SMIAL është rreth 40 raste.