Katedralja Shën Tereza | Foto: KALLXO.com

Simoni: Nënë Tereza Shembull për ta Dashur Njëri-Tjetrin

Gjatë ceremonisë së shugurimit të katedrales “Nënë Tereza” i dërguari i papa Françeskut tha se Nënë Tereza mësoi njerëzit ta duan njëri-tjetrin.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kardinali shqiptar dom Ernest Simoni, i dërguari i papa Françeskut, i cili tha se Nënë Tereza la gjithçka dhe shkoi në Kalkutë, në një vend të vështirë për të ndihmuar dhe për të përhapur dashuri.

“Nënë Tereza një grua e thjeshtë prej vendeve tona, e mbështetur prej shpirtit të shenjtë, e mbushur me dashninë e madhe të Krishtit, është shembulli e pasqyra, tërheqja e miliona e miliona njerëzve në botë për me dashtë njëri-tjetrin, për me ndihmu njëri tjetrin” potencoi Simoni.

Pjesë e ceremonisë së shugurimit të katedrales “Nënë Tereza” ishin edhe përfaqësues të institucioneve si Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në largim Isa Mustafa, ish-presidentja Atifete Jahjaga, përfaqësues të tjerë të partive politike, ambasadorë të vendeve të ndryshme dhe figura të tjera të njohura.

Presidenti Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij pas meshës së shugurimit tha se katedralja është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpia e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Uroj që kjo katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të t’u përkujtojë të gjithëve se kush ishte Shën Tereza”, u shpreh Thaçi.

Duke folur për figurën e Shën Terezës presidenti Thaçi tha se ajo pati zemër të madhe për gjithë botën.

“Uroj që kjo shtëpi të jetë fanar i dritës dhe tempull i paqes për të gjithë”, tha Thaçi.

Derisa sot u shugurua katedralja me emrin e Nënës Terezë, më 4 shtator të vitit 2016 është mbajtur ceremonia e shenjtërimit të vetë Nënë Terezës, në të cilën morën pjesë rreth 100 mijë njerëz.