Slavko Çuruvija, gazetari serb i vrarë në vitin 1999 në Beograd

Sigurimi Serb Kërkon Dëshmi të Mbyllur për Pjesëtarët e tij

Agjencia serbe e sigurimit të shtetit tha se dy nga ish-oficerët e saj duhet të dëshmojnë me dyer të mbyllura në gjyqin për vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija në vitin 1999, një kundërshtar i ashpër i Sllobodan Millosheviçit.

Dëshmitë e dy ish-oficerëve të Zyrës në Beograd të Agjencisë Serbe të Sigurimit, janë shtyrë të martën pasi agjencia kërkoi që ata të dëshmonin me dyer të mbyllura, duke cituar çështjet e sigurisë kombëtare.

Agjencia tha se do t’i lejonte ish-oficerët Branko Zivanoviq dhe Goran Vasiq të flisnin për sekrete shtetërore që ata i kanë mësuar gjatë punës së tyre në sigurimin e shtetit, por kërkoi që seancat dëgjimore të mos jenë të hapura për publikun sepse “dëshmitë e tyre mund të kërcënonin sigurinë kombëtare të Serbisë”.

Kryetarja e trupit gjykues Snezana Jovanoviq megjithatë tha se vendimi i agjencisë ishte “i panevojshëm dhe i qartë”.

“Ne do t’u kërkojmë atyre të na japin më shumë detaje dhe më pas do t’u kërkojmë të marrin një vendim nëse dëshmitë mund të jenë publike,” tha Jovanoviq.

Kjo është hera e parë që Agjencia Serbe e Sigurimit të shtetit ndalon ndonjë nga oficerët e saj të dëshmojnë publikisht brenda vendit. Ajo lejoi ish-oficerë të dëshmonin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por kërkoi që dëshmitë e tyre të ishin të mbyllura, në përputhje me rregullat e gjykatës së OKB-së.

Gazetarët kërkojnë dëshmi të hapur

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, NUNS, ditën e mërkurë i bëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të refuzojnë kërkesën e Agjencisë së Sigurimit të Shtetit që ish-oficerët e saj të dëshmojnë në gjykatë në një seancë me dyer të mbyllura.

“I gjithë gjyqi duhet të jetë i hapur për publikun, sepse pas 16 vjetësh e gjysmë për këtë krim shtetëror duhet të përcaktohet e vërteta e hapur,” tha NUNS në një deklaratë.

Sipas ligjit serb, vetëm gjykata mund të vendosë nëse dëshmia mund të jetë publike ose jo, pasi ajo përcakton nëse dëshmitari ose dikush tjetër mund të jetë në rrezik.

Çuruvija, një kundërshtar i ashpër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit u qëllua 17 herë para ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja e tij dhe ish-kolegët besojnë se ishte e motivuar nga qëndrimi i tij opozitar.

Prokuroria pretendon se Radomir Markoviqi, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen, ndërsa tre ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Prokuroria pretendon se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre burrat e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq, aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq ditën e martë u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Draskoviq në vitin 2000.

Disa ish-zyrtarë të lartë të sigurimit të shtetit kanë dëshmuar deri tani në gjyq. Pavarësisht dëshmive të tyre të ndryshme, pjesa më e madhe ranë dakord se Çuruvija u vra pak minuta pasi ekipi mbikëqyrës u urdhërua të mos e ndiqte më atë.

Ata thanë se Çuruvija ishte mbikëqyrur nga Sigurimi i Shtetit gjatë të gjithë vitit 1999, duke qenë se shihej si armik i regjimit të Millosheviqit.

Ditën e hënë, dëshmitari Radovan Bozoviq, një ish-shef në një nga sektorët e Sigurimit të Shtetit, tha se zyra e tij përgjoi telefonin e Çuruvijas për disa muaj në vitin 1998 dhe 1999.

“Në korrik 1998, kreu i qendrës së Beogradit të Sigurimit të Shtetit na kërkoi të përgjonim telefonin e tij. Ata kërkuan që çdo bisedë telefonike të transkriptohej,” tha Bozoviq në gjykatë.

Sipas Bozoviqit, bisedat e Çuruvijas u përgjuan nga oficerët e tij deri në shkurt 1999.

Megjithatë, Bozoviq mohoi të jetë qenë në dijeni të vrasjes së gazetarit, duke pretenduar se ishte pushim ditën që ndodhi vrasja.

Slavko Çuruvija fillimisht ishte gazetar për shumë revista të njohura dhe gazeta të përditshme në Serbi dhe ish-Jugosllavi.

Në vitin 1994, pas marrjes nga ana e regjimit të gazetës “Borba”, ai dhe shumë pjesëtarë të tjerë të stafit vendosën ta linin punën atje.

Në vitin 1996, ai themeloi “Dnevni Telegraf-in”, gazetën e parë private në Serbi pas më shumë se 50 vjetësh. Në vitin 1998, Çuruvija ishte drejtori, kryeredaktori dhe pronari i saj i vetëm. Në vitin 1998 ai nisi gjithashtu një revistë që dilte çdo dy javë dhe titullohej “Evropljanin”.