Dedaj përmendi Osmanin gjatë dëshmisë në Speciale, reagon Presidenca

Këshilltari i për media në kabinetin e presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, ka reaguar në lidhje me deklaratat e ish-ambasadorit, Gjergj Dedaj, të cilat ai bëri gjatë dëshmisë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Kupina ka thënë se Dedaj ka gënjyer dhe, që sipas Kupinës, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, iu është referuar presidentes me të njëjtat fjalë sikurse Serbia.

“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj  sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”- ka shkruar Kupina në Facebook.

Dedaj gjatë dëshmisë së tij e përmendi Osmanin, duke iu referuar asaj si “e ashtuquajtura presidente” dhe duke thënë se e ka larguar “dhunshëm” nga pozita e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut.

Kupina thotë se presidentja nuk e ka larguar Dedajn nga pozita e ambasadorit për të emëruar bashkëshortin e saj, teksa shton se janë ende në pritje të drejtësisë “për kërcënimet me jetë të bëra publikisht ndaj presidentes”.

“Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra! Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”- ka theksuar Kupina.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po dëshmon në Hagë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dedaj mes tjerash ka treguar se është shkarkuar nga detyra e ambasadorit nga presidentja e vendit, ndërsa në vend të tij është emëruar burri i presidentes, Vjosa Osmani.

“Më së mrami kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuqujtuara presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën Turke në Shkup më ka largu nga pozita ambasadorit”- ka thënë Dedaj.

Paraprakisht, Dedaj ka deklaruar se ka shërbyer në disa poste publike, përfshirë deputet, ministër, dhe ambasador.

“Gjatë luftës në radhë të parë kam qenë organizator i të gjitha demonstratve kundër kriminelit dhe kasapit të ballkanit, Millosheviq. Kam organizuar në Prishtinë 60 demonstrata që iu kam pri në vitin ’98, për me mujt me senzibilizu çështjen e kosovës, që të solidarizohem me Ushtrinë Clirimtarë të  Kosovës, me u solidarizu dhe me NATO-n që të intervenojë në Kosovë që ta shëptojë popullin e pafajshëm dhe civilë ndaj të cilëve ushtrohej një dhunë e paparë”- deklaroi Dedaj.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Dedaj në Hagë: Presidentja Vjosa më shkarkoi nga detyra ambasadorit dhe në vend meje e dërgoi burrin e saj

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.