Shkupi. Foto: Blerina Rogova- Gaxha

Shumë Aksidente Gjatë Vikendit në Shkup

Një person vdiq në një prej gjithsej 27 aksidenteve të regjistruara gjatë fundjavës së kaluar në rajonin SPB Shkup.

Në gjashtë aksidente lëndime të rënda kanë marrë dy persona, ndërsa në 15 lëndime të lehta kanë marrë 21 persona.

Nëntë aksidente kanë qenë me dëme materiale.

Siç informojnë nga MPB në Maqedoni, gjatë fundjavës policia rrugore ka zbuluar dhe sanksionuar një numër të madh të shkeljeve.

Gjashtëdhjetë e nëntë shoferë kanë lëvizur me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, pesë shoferë kanë kaluar në udhëkryq në dritë të kuqe dhe tre shoferë nuk kanë dhënë përparësi për parakalim.

Nga trafiku janë përjashtuar 14 shoferë, sepse e kanë drejtuar automjetin para se ta marrin patentën dhe 15 automjete me afat të skaduar të patentës.

Janë sanksionuar edhe 16 këmbësorë të cilët kanë kaluar jashtë kalimit për këmbësorë.

Po ashtu, janë hasur edhe 200 automjete të parkuara në mënyrë të parregullt.

Me ndihmën e automjetit special “karrotreci” janë larguar 181 automjete, shkruan TV21./21Media