Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence - Foto: REL/Reuters

Shtyhet Vizita e Zëvendëspresidentit Amerikan në Izrael

Zëvendëpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, e ka shtyrë vizitën e tij në Egjipt dhe Izrael, që ishte paraparë për këtë javë.

Zyra e tij tha se është vendosur shtyrja e udhëtimit për të siguruar kalimin në Senat të reformës gjithëpërfshirëse të taksave, kështu që ai do të mbetet në Uashington dhe sot më vonë nuk udhëton për në Lindjen e Mesme.

Pritet që tash ky udhëtim i Pence të realizohet në muajin janar.

Turneu i tij në Lindjen e Mesme ishte planifikuar me gjithë trazirat në rajon lidhur me njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, e ka anuluar takimin e tij të planifikuar me Pence pas shpalljes për Jerusalemin, më herët këtë muaj. Takimin me zyrtarin e lartë amerikan e kanë anuluar edhe klerikët e lartë myslimanë dhe koptët e krishterë në Egjipt.

Mbrëmë, Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur veto ndaj një propozim-rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën refuzohej vendimi i Trumpit.

Anëtarët e tjerë të Këshillit votuan në favor të propozimit, që ishte paraqitur nga Egjipti. (REL)