Ish-presidenti Trump e fajëson zëvendësin e tij për ngjarjet e 6 janarit në Capitol Hill

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën i është përgjigjur pretendimit të ish-zëvendës presidentit Mike Pence se historia do ta mbajë atë përgjegjës për sulmin e 6 janarit në Kongres, duke thënë se sulmi vdekjeprurës ishte faji i ish-zëvendëspresidentit të tij.

“Nëse ai do t’i kthente votat në legjislatura, ata nuk do të kishin problem me 6 janarin, kështu që në shumë mënyra, ju mund ta fajësoni atë për 6 janarin” – u tha Trump gazetarëve gjatë një fluturimi për në Iowa për një paraqitje në fushatën e elektorale.

Trump i referohej përpjekjes së tij që Pence, në rolin e tij si president i Senatit, të refuzonte certifikim e rezultateve të zgjedhjeve, për shkak të mashtrimit të supozuar elektoral, duke e përmbysur kështu humbjen përfundimtare të Trump nga Joe Biden.

Nëntë vdekje janë të ndërlidhura me sulmin ndaj Kongresit, duke përfshirë edhe vetëvrasjen e një zyrtari të zbatimit të ligjit.

Trazirat ndodhën pasi Trump u tha mbështetësve të “luftojnë si ferr”.

Më shumë se një mijë rebelë janë arrestuar, qindra të akuzuar dhe shumë të dënuar, disa me komplot kryengritje. Të tjerët mbeten në kërkim.

Ish-presidenti Trump u fajësua për nxitje të një kryengritjeje, por u shpall i pafajshëm kur mjaft republikanë të Senatit i qëndruan atij besnikë. Vitin e kaluar, komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit bëri katër referime penale të Trump në Departamentin e Drejtësisë. Hetimet vazhdojnë ende.

Komiteti i 6 janarit e ka përshkruar situatën se si ish zëvendës presidenti Pence refuzoi t’i bashkëngjitej një plani të Trump për ta bllokuar certifikimin, pasi këshilltarët i thanë atij se nuk kishte autoritetin për ta bërë një gjë të tillë.

Pence përndryshe ishte një zëvendëspresident besnik, por ai tani po përgatit ofertën e tij presidenciale.

Aktualisht Trump është duke i dominuar sondazhet në lidhje me nominimin republikan. Rivali i tij më i fortë është guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i cili nuk ka shpallur ende fushatën elektorale.

Pence dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley janë në nivelin e ardhshëm, shumë prapa, por me potencial për ta ndarë votën, duke i dhënë Trumpit një nominim pa shumicë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala