Mike Pence - Foto: REL/Reuters

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence do ta nisë fushatën presidenciale javën e ardhshme

Ish-zëvendëspresidenti republikan Mike Pence, i cili pati refuzuar të mbështesë përpjekjet e ish presidentit Donald Trump për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, do të hyjë në garën presidenciale të vitit 2024 kundër ish-shefit të tij më 7 qershor, thanë dy burime të Reuters.

Pence do ta nisë fushatën e tij me një video dhe një fjalim në shtetin e hershëm të Iowa-s, thanë burimet e lartcekura.

Një konservator social i vendosur, i cili qëndroi pranë Trumpit gjatë gjithë kohës në zyrën e tij, Pence është distancuar gjithnjë e më shumë nga ish-presidenti republikan që nga humbja e tij në zgjedhje, duke thënë se inkurajimi i Trump për rebelët që e sulmuan Kapitol Hillin e SHBA më 6 janar 2021, e vë atë dhe familjen e tij ne rrezik.

Ish Presidenti Trump ka një epërsi masive në votime nga radhët e republikanëvë që tani ka më shumë se 10 kandidatë të deklaruar, një dinamikë që mund ta ndajë opozitën primare kundër ish-presidentit. Të mërkurën, mesatarja e sondazheve të Pence në anën republikane ishte më pak se 4%, krahasuar me 53% që ka Trump, sipas një mesatare të sondazheve të RealClearPolitics.

Pence ka vazhduar t’i përqafojë shumë nga politikat e Trump, ndërkohë që e portretizon veten si një alternativë e paanshme dhe e orientuar nga konsensusi. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje më drejtpërdrejt komunitetit të krishterë ungjillor, pasi ka kaluar kohë të konsiderueshme në muajt e fundit duke vizituar mega-kisha anembanë SHBA-së.

Suksesi i fushatës së tij do të varet nga fakti nëse ai mund të tërheqë mjaftueshëm mbështetës të politikave të Trumpit, të cilët janë të përjashtuar nga retorika dhe sjellja e ish-presidentit për ta ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm. Pence – ish-guvernator i Indianës dhe dikur lider partie në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së – do ta testojë gjithashtu oreksin e votuesve për një republikan në një parti ku votuesit janë kthyer gjithnjë e më shumë tek të huajt./France24

Përgatiti: Nuhi Shala