Foto: Facebook / Mike Pence

SHBA, ish-nënpresidenti Pence ndërpret fushatën presidenciale

Ish-nënpresidenti Mike Pence ndërpreu të shtunën garën për emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane, duke i dhënë fund fushatës për Shtëpinë e Bardhë pas vështirësive për të mbledhur fonde dhe fituar mbështetje.

“Kam vendosur të pezulloj fushatën time për president në fuqi sot,” tha zoti Pence në mbledhjen e Koalicionit Republikan Hebre në Las Vegas. “Që në fillim e kemi ditur se kjo do të ishte një betejë e vështirë, por nuk jam penduar.” tha ai.

Ai bëhet kandidati i parë me peshë që tërhiqet nga gara që është mbizotëruar nga ish-presidenti Donald Trump.

Tërheqja është një humbje e madhe për një politikan që gjatë gjithë mandatit të ish-presidentit Trump i shërbeu atij me besnikëri, vetëm për t’u vënë në shënjestër nga zoti Trump gjatë ditëve të fundit në detyrë, kur ai pretendoi se zoti Pence kishte kompetencën të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të 2020, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Megjithëse ish-nënpresidenti Pence shmangi një krizë kushtetuese duke refuzuar t’i bindej zotit Trump, ai ngjalli zemërimin e tij dhe të shumë mbështetësve të tij, që arritën kulmin në trazirat e 6 janarit dhe sulmin ndaj Kapitolit ku ai ndodhej për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve./VOA