Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca për Vrasjen e Drejtorit të Arsimit të Prishtinës

Për shkak se mungoi prokurorja e rastit trupi gjykues konstatoi se nuk ka kushte për mbajtje të seancës së gjykimit të Gani Sahitit, i cili akuzohet për vrasjen e Remzi Salihut, ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës.

“Unë ftesën për seancën e sotme ua kam dërguar te gjitha palëve me kohë, mirëpo sot ne mëngjes me ka ftuar ne telefon prokurorja Besa Limani dhe më ka treguar se nuk mund të jetë prezent në seancë pasi që nuk është mirë me shëndet. Unë e kam njoftuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për ta sjellë një zëvendësim por kjo nuk ndodhi”, deklaroi kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Për veprën penale për të cilën akuzohet, Gani Sahiti nga Gjykata Themelore e Prishtinës  në qershorin e vitit 2013 qe dënuar me 35 vjet burg.

Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në janar 2014 me arsyetimin se janë konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave penale gjatë gjykimit të shkallës së parë.

Në rigjykim, në seancën e 14 prillit 2015, pas leximit te aktakuzës Gani Sahiti kishte deklaruar se i pranon disa veprime lidhur me veprën për të cilën akuzohet por jo edhe kualifikimin e aktakuzës.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do te mbahet më 7 korrik 2016.

Rreth këtij procesi KALLXO.com ka raportuar edhe më parë.

http://kallxo.com/deshmitarja-perlotet-ne-gjykimin-per-vrasjen-e-drejtorit/

Shkon në Rigjykim Rasti i Gani Sahitit