Nga një seancë e gjykimit të zyrtarëve të AKP-së | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Përsëri Seanca Ndaj Zyrtarëve të AKP-së

Në korrik të vitit të kaluar, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në akuzën për marrje ryshfeti.

Pas ankesave të mbrojtjes lidhur me dënimet, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Për herë të dytë me radhë seanca e paraparë të mbahej sot ndaj dy zyrtarëve të AKP-së është shtyrë për një datë tjetër.

Për dallim nga hera e fundit, kur seanca u shty për shkak të mosnjoftimit të avokatit lidhur me seancën, këtë herë, seanca u shty pasi që njëri nga avokatët kërkoi shtyrjen.

Ramë Gashi, avokati i të akuzuarit Fevzi Hajdari për KALLXO.com tha se ka kërkuar shtyrjen e seancës.

“Unë e kam njoftuar gjykatën dhe kam kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të disa obligimeve që i kam pasë të caktuara më herët”, tha Ramë Gashi.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet më 21 shkurt.

Fevzi Hajdari nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte dënuar me 2 vjet burgim, si dhe gjobë prej 25.000 eurove. Ndërsa Taulant Tahirsylaj ishte dënuar me 1 vit burg me kusht, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 2 vjetësh.

Gjykata gjithashtu i kishte shqiptuar Tahirsylajt një dënim me gjobë në shumën prej 8.000 eurove.

Aktakuza ngarkonte Hajdarin dhe Tahirsylajn se si zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për t’ia shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, i kishin kërkuar 20 mijë euro ryshfet këtij të fundit.

Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën që rëndonte mbi ta.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.