Nga një seancë e gjykimit të zyrtarëve të AKP-së | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari dhe Prokurorja Mungojnë në Gjykimin e Zyrtarëve të AKP-së

Për herë të tretë radhazi ka dështuar mbajtja e seancës në rastin e zyrtareve të AKP-së, Fevzi Hajdari e Taulant Tahirsylaj, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së të akuzuarit Fevzi Hajdari si dhe prokurores së rastit Dulina Hamiti.

Shkaku i mungesës së të akuzuarit Fevzi Hajdari u tha të jetë gjendja e tij jo e mirë shëndetësore, ndërsa prokurorja Dulina Hamiti kishte qenë e pranishme në gjykatë por për shkak se ishte vonuar fillimi i seancës, ishte larguar nga salla.

“Mungon prokurorja e shtetit Dulina Hamiti e cili ka qenë e pranishme në sallë deri në orën 09:21 minuta dhe meqë shqyrtimi gjyqësor është vonuar e njëjta është larguar nga salla, ndërsa i akuzuari Fevzi Hajdari ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën e ka arsyetuar përmes një raporti të lëshuar nga Qendra Emergjente në Ferizaj që ka të bëjë me gjendjen e tij shëndetësore”, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Gjyqtari Kalludra tha se seanca nuk ka nisur me kohë, ngase është dashur të marrë pjesë në një mbledhje.

Seanca e sotme e gjykimit të dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, u caktua më 13 mars.

Në korrik të vitit të kaluar, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në akuzën për marrje ryshfeti.

Fevzi Hajdari nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte dënuar me 2 vjet burgim, si dhe gjobë prej 25.000 eurove. Ndërsa Taulant Tahirsylaj ishte dënuar me 1 vit burg me kusht, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 2 vjetësh.

Gjykata gjithashtu i kishte shqiptuar Tahirsylajt një dënim me gjobë në shumën prej 8.000 eurove.

http://kallxo.com/burg-per-zyrtaret-e-akp-se-moren-ryshfet/

Aktakuza ngarkonte Hajdarin dhe Tahirsylajn se si zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për t’ia shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, i kishin kërkuar 20 mijë euro ryshfet këtij të fundit.

Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën që rëndonte mbi ta.

Pas ankesave të mbrojtjes lidhur me dënimet, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.