Shtohen pa Konkurs Dy Klasë në Obiliq

Në Shkollën e Mesme Profesionale “Ismajl Dumoshi” në Obiliq janë shtuar edhe dy klasë në drejtimet energjetikë dhe ekonomi, edhe pse me konkurs ishin paraparë vetëm nga një klasë në secilin nga këto dy drejtime.

Mehmet Krasniqi, shef i grupit të asamblistëve të LDK-së dhe ish-kryetar i Obiliqit shtimin e klasave e konsideron të papranueshëm.

“Drejtoria Komunale dhe drejtori i shkollës atje duke mos shpallur fare konkurs-konkursi paraprak ka qenë vetëm për një paralele në ekonomi dhe ne energjetikë, pa konkurs pasues e kanë themeluar edhe nga një paralele në drejtimin e ekonomisë dhe energjetikës, për neve si opozitë është absurde dhe e papranueshme,” tha Krasniqi.

Rexhep Zeka, një zyrtar i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit tha se klasat në “Ismajl Dumoshi” janë shtuar, ngase drejtoria nuk dëshiron t’i lërë nxënësit në rrugë.

“Po, me kërkesën e nxënësve veç një parim duhet me u nis që nuk ka komunë me lënë nxënës në rrugë edhe tash ne patjetër i kemi marrë edhe mos me cenuar të drejtën e tyre. Ka qenë në interes të nxënësit, kërkesë e nxënësit që ai të regjistrohet në profilin Energjetikë edhe në Banka dhe Financa,“ tha Zeka.

Sahit Zeqiri, drejtori i Shkollës “Ismajl Dumoshi” shpjegoi se dy klasat janë shtuar për shkak të interesimit të madh të nxënësve për këto drejtime.

“Interesimi i nxënësve është shumë i madh në këto dy drejtime. Për atë edhe kemi shkuar me kërkesë që t’i kemi nga dy klasë në këto drejtime-në ekonomi dhe në energjetikë dhe fatbardhësisht në këto dy degë në të gjitha klasat e kam përafërsisht numrin maksimal me nga 35 nxënës,” tha drejtori Zeqiri.

Por Mehmet Krasniqi insiston se është dashur të hapej konkurs për klasat shtesë në këtë shkollë.

“Në rastin konkret, sipas kësaj logjike që kanë vepruar ata, mund të mos hapet konkurs fare, mund kry në vete me themeluar paralele. Për çdo veprim të tillë duhet institucioni i konkursit sepse e përcakton proceduara ligjore që në rastin konkret këta e kanë shkelë,” tha Krasniqi.