Foto: Kallxo.com

Shqyrtohet raporti vjetor i KPM-së për vitin 2017

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shqyrtuar Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2017. Por ky raport nuk arriti të kaloj pasi në seancë nuk kishte kuorum për tu hedhur në votim kjo pikë.

Rasim Selmanaj, anëtar i komisionit për Administratë Publike tha se raporti ka kaluar në dy komisione, në Komisionin për Buxhet dhe Financa si dhe në Komisionin për Administratë Publike.

Selmanaj tha se raporti i nxjerr në pah vështirësitë që i ka KPM-ja për zbatimin e detyrimeve që derivojnë nga ligji për dixhitalizimin e transmetuesve.

“Mos kalimi i strategjisë për digjitalizim në qeveri po e vështirëson kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. E ky fakt po e pamundëson publikun që të kenë më shumë programe pa pagesë dhe me cilësi të lartë”, tha Selmanaj.

Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa tha se “komisioni pas shqyrtimit të raportit ka vlerësuar se raporti i përmbush obligimet ligjore për raportim”.

Shqipe Pantina, nga PSD-ja tha se edhe vitin e kaluar Komisioni i Pavarur për Media është ballafaquar më vështirësi, sidomos në proces të digjitalizimit, për të cilin ende qeveria nuk e ka miratuar strategjinë dhe pa të komisioni ende nuk mund ta fillojë procesin e digjitalizimit.

“Prandaj qeveria duhet ta miratojë strategjinë. Thirrja ime është te politika që të mos bëjë presione tek asnjë institucion i pavarur e ne veçanti te Komisioni i Pavarur i Mediave. Le t’i lëmë ata ta bëjnë punën e tyre  e ne t’i kryejmë obligimet tona”, tha Pantina.

Edhe deputeti Milaim Zeka tha se e mbështesin raportin për KPM-në.

“Edhe unë si anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave kam informacione që grupe të ndryshme politike brenda dhe jashtë parlamentit po mundohen ti ushtrojnë presion për marrjen e vendimeve që do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës. Ideja jonë ka qenë me KPM-në që të marrin vendime të pavarura edhe pse janë zgjedhur nga Kuvendi. Sa i përket çështjes së digjitalizimit, kjo i përket parlamentit që ta ndajë buxhet”, shtoi Zeka.