Luljeta Aliu, KPM

Anëtarja e Bordit të KPM-së: “Artmotion” dhe “Arena” na kanë mashtruar

Anëtarja e Bordit të Komisionit të Pavarur të mediave (KPM), Luljeta Aliu, ka thënë se operatori kabllor “Artmotion” ka bërë mashtrim kur ka transmetuar Ligën Premier në gjuhën serbe në territorin e Kosovës.

Sipas saj, rasti duhet të dërgohet në polici dhe në prokurori pasi, sipas saj, ajo çfarë ka ndodhur është pirateri.

“Ajo çfarë e kemi te qartë është se ne jemi mashtruar e nuk jemi respektua si institucion” – ka thënë Aliu.

“Meqë “Arena” dhe “Artmotion” kanë pas marrëveshje për transmetimin e Premier Liga nuk është e mundur që “Artmotion” nuk ka qenë në dijeni. Kjo do të thotë që përveç “Arena” edhe “Artmotion” na ka mashtruar. Mendoj që duhet të hidhet në votim nëse “Artmortion” në Polici e pastaj prokurori. Kjo është pirateri. Është mashtrim nga të dy palët”- ka thënë ajo.

Komisioni i Pavarur i Mediave po mban vazhdimin e mbledhjes të cilën e filloi dje, më 19.03.2024.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) vendosi m 19.03.2024 për futjen në agjendë për diskutim të letrës së dërguar nga Premier Liga, e cila lidhet me të drejtat e transmetimit të kësaj lige në Kosovë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për media, Valon Ramadani, më 13.03.2024 kishte publikuar një letër të pranuar nga liga e futbollit të Anglisë, Premier League, në të cilën mohohet se ‘Artmotion’ mund t’i transmetojë ndeshjet e saj. Ramadani kishte thënë se “transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”.

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Media më 18.03.2024 , anëtarët e bordit të KPM thanë se letra sjellë gjendje të re dhe se kanë kërkuar autorizime të tjera që të sjellin në KPM nga operatorët që kanë transmetuar këtë ligë.